Pançevski, me dokument nga Gjykata Themelore Penale, pretendon se i plotëson kushtet për kryeprokuror të shtetit
Ish-kryetari i Gjykatës Penale të Shkupit, Vladimir Pançevsk ka reaguar pasi Këshilli i Prokurorëve Publikë e refuzoi kandidaturën e tij për prokuror publik të shtetit, me arsyetimin se nuk e plotësonte kushtin – 10 vite përvojë pune të pandërprerë si gjyqtar ose prokuror në fushën e së drejtës penale. “Thjesht për hir të të gjithëve ju që më mbështetët në këtë garë për drejtësi! Historia shënon! Ju falënderoj të gjithëve ju, njerëz dashamirë dhe miq që dëshironi që Maqedonia të bëhet shtet ligjor!” – ka shkruar Pançevski në Facebook, transmeton Portalb.mk.
Vërtetimi që Pançevski e publikoi tregon se ai e plotëson kushtin që kërkohet për zgjedhjen e prokurorit publik të shtetit. Në të thuhet:
“GJYKATA THEMELORE PENALE SHKUP vërteton se personi
Vladimir Pançevski ka qenë në marrëdhënie të rregullt pune, me afat të pacaktuar, në këtë gjykatë, në vendin e punës – Gjyqtar, nga data 08.02.2008 deri më 28.07.2020 dhe ka gjithsej përvojë gjyqësore të pandërprerë në këtë gjykatë prej 12 vitesh, 5 muajsh dhe 20 ditësh.
Gjatë përvojës së tij gjyqësore, personi Vladimir Pançevski, si gjyqtar, ka vepruar në Departamentin për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Departamentin e Procedurës Paraprake dhe Departamentin për Kundërvajtje, ndërsa gjithashtu ka qenë edhe Kryetar i Gjykatës Themelore Penale Shkup.
Vërtetimi lëshohet me kërkesë të tij.”
Vërtetimi është nënshkruar nga Dejan Neshovski, si administrator gjyqësor i Gjykatës Themelore Penale të Shkupit.
Këshilli i Prokurorëve, në mbledhjen e sotme (17 shkurt 2026) arriti në përfundimin se Vlladimir Pançevski, dikur i dënuar për keqpërdorim të sistemit AKMIS, nuk i plotëson kushtet ligjore, sepse nuk ka përvojë pune të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh, që është parakusht për t’u vlerësuar si kandidat për pozicionin e Ljupço Kocevskit të shkarkuar. Ndërkohë, katër kandidatë për prokuror publik republikan, prokurorja në detyrë Anita Topolova Isajlovska, prokurorët Lidija Raiçeviq dhe Lençe Ristoska, dhe gjyqtari Nenad Saveski, morën mendim pozitiv nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Pasi Këshilli skualifikoi unanimisht ish-gjyqtarin e shkarkuar Vladimir Pançevski, anëtarët pothuajse unanimisht dhanë mendim pozitiv për të gjithë kandidatët dhe ia kaluan topin Qeverisë për prokuror të ri publik republikan.