Qeveria e RMV-së, vetëm pjesërisht e realizoi ndihmën financiare për prindërit me të ardhura të ulëta

Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, në një fjalim publik nga foltorja e Kuvendit, në dhjetor të vitit të kaluar njoftoi se mbi 105.000 nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm, në 6 muajt e ardhshëm do të marrin 1.200 denarë, gjegjësisht 1.800 denarë çdo muaj, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Por, një pjesë e prindërve me të ardhura të ulëta mujore, përkatësisht me të ardhura që nuk i kalojnë 50.000 denarë, edhe pse i kanë dorëzuar dokumentet në rregull dhe në kohë kur është shpallur masa, ende nuk i marrin paratë rregullisht çdo muaj në llogaritë e tyre. Ka edhe prindër (jo të gjithë) që kanë marrë para vetëm për dhjetor dhe janar, por jo për muajt në vijim. Duke marrë parasysh këtë situatë, këtë premtim të ish-kryeministrit e konsiderojmë pjesërisht të realizuar.

Duke paraqitur grupin e nëntë të masave dhjetorin e kaluar, i cili përfshin edhe ndihmën financiare për studentët, Kovacevski tha:

“Mbi 105.000 nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm, në 6 muajt e ardhshëm do të marrin 1.200 denarë, gjegjësisht 1.800 denarë në muaj. Unë thashë, askush nuk do të mbetet vetëm dhe sot e kësaj dite i përmbahem asaj që kam thënë që nga dita e parë e marrjes së postit të kryeministrit”.

Meta.mk ka pyetur disa herë në grupet e Facebook-ut në të cilët janë prindërit anëtarë se a i kanë marrë paratë si ndihmë financiare për fëmijët e tyre. Shumica e përgjigjeve që morëm ishin se nuk i kishin marrë paratë as për dhjetorin, as për janarin dhe shkurtin.

“Në mes të janarit ka qenë një pagesë për muajin dhjetor dhe kaq”, thuhet në një nga komentet.

Meta ka pyetur edhe Ministrinë e Arsimit, institucionit përmes të cilit zhvillohet i gjithë procesi, pse ka vonuar pagesën e këtyre parave që është dashur të paguhen në baza mujore. Edhe pse paratë nuk janë paguar gjatë muajve të kaluar, Ministria e Arsimit së fundi shpalli thirrjen e katërt publike për mbështetje financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nga familjet të cilat të ardhurat mujore nuk i kalojnë 50.000 denarë.

“Jemi përballë një sfide – shpesh në shkolla prindërit dorëzojnë të dhëna të pasakta, pra dorëzojnë llogari transaksionale të gabuara ose të mbyllura. E pengon pagesën”, pohojnë ata.

Meta, më 27 mars, i bëri disa pyetje MASh-it për këtë temë. Sa para totale janë paguar për studentët nga familjet me të ardhura të ulëta deri më tani? Sa prindër aplikuan (dorëzuan dokumente) për të përdorur këtë masë? Për sa muaj dhe për cilët muaj janë paguar paratë deri tani?

Për këto pyetje nuk kanë marrë përgjigje zyrtare, ndërsa jozyrtarisht u është shpjeguar se është e vështirë t’u përgjigjemi pyetjeve duke qenë se numri i studentëve dhe shumat e ndara për këtë qëllim po ndryshojnë.

Ndryshe, këtë masë planifikojnë ta shfrytëzojnë rreth 75 mijë nxënës të shkollave fillore dhe 30 mijë nxënës të shkollave të mesme. Aplikimi është bërë përmes shkollave, ndërsa pagesa është dashur të bëhet me etapa, pra pasi shkollat ​​dorëzojnë të dhënat në Ministrinë e Arsimit, kështu që të përgatiten urdhërpagesat. Ndonëse vonesat në pagesa janë të mëdha, në buxhetin e Ministrisë së Arsimit për masat kundër krizës nga pakoja e nëntë e Qeverisë, thuhej se janë siguruar 843 milionë denarë për nxënës dhe studentë. Ishte paraparë që nga dhjetori i vitit të kaluar deri në maj të këtij viti, prindërit me të ardhura të ulëta të përfitonin çdo muaj nga 20 euro.

Duke pasur parasysh se ka një numër të madh të prindërve që nuk marrin ndihmë financiare çdo muaj siç është premtuar, por megjithatë, dhe duke pasur parasysh se ka prindër që kanë marrë para për muajin dhjetor dhe janar, mund të konstatojmë se ky premtim është realizuar pjesërisht.