Drejtësia në perspektivën e Habermasit

Jürgen Habermas, një prej filozofëve më të rëndësishëm dhe më me ndikim të shekullit të 20-të, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në debatin mbi drejtësinë dhe strukturën sociale. Në veprat e tij, ai ka analizuar thellësisht marrëdhënien midis komunikimit, demokracisë dhe drejtësisë, duke ofruar një perspektivë të thellë mbi mënyrën se si shoqëritë moderne mund të ndërtojnë sisteme të drejtësisë që reflektojnë vlerat dhe nevojat e tyre.

Një nga konceptet kryesore që Habermas ka përdorur për të analizuar drejtësinë është “agora e diskutimit”. Për Habermas, drejtësia nuk mund të arrihet vetëm përmes zbatimit të ligjit ose autoritetit qendror. Ajo duhet të shpaloset nëpërmjet një procesi të lirë dhe të hapur të diskutimit publik, ku qytetarët mund të shprehin mendimet e tyre dhe të arrijnë në marrëveshje të përbashkëta mbi vlerat dhe normat që duhet të udhëheqin shoqërinë. Si nkë filozof i lindur mes dy luftërave botërore, Habermas e ka ndjerë nga afër se çfarë do të thotë zbatimi i verbër i legalitetit. Të mos harrojmë që në rininë e Habermasit, Gjermania është udhëhequr nga nacional-socializmi i Hitlerit, i cili pushtet bazë e ka pasur parimin e legalitetit por jo edhe të legjitimitetit, gjë që ka rezultuar me pasoja të rënda për shoqërinë dhe me krime makabre që kanë kulminuar me procesin e Holokaustit. Prandaj, Habermas me të drejtë përcakton që diskuptimi publik dhe i lirë është më i rëndësishëm se zbatimi symbylltazi i ligjeve.

Në esencë, Habermas vlerëson rolin e komunikimit në krijimin e një drejtësie të vërtetë dhe të qëndrueshme. Ai beson se diskutimet e lira dhe të hapura janë thelbësore për zhvillimin e konsensusit social rreth drejtësisë dhe për të adresuar konfliktet dhe mosmarrëveshjet në një mënyrë që është e drejtë dhe e qëndrueshme.

Një aspekt tjetër i kontributit të Habermasit është theksimi i tij në të drejtat e dialogut dhe pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në procesin vendimmarrës. Ai kritikon ndikimin e vendimeve nga autoritetet qendrore dhe mbështet krijimin e një ambienti ku qytetarët kanë mundësi reale për të ndikuar në procesin politik dhe vendimmarrjen.

Gjithashtu, Habermas ndërton një ndarje midis sfereve publike dhe private, duke theksuar rëndësinë e autonomisë individuale dhe vetëqeverisjes në shoqëri. Ai kundërshton shfuqizimin e sfereve publike nga interesat private dhe korporative, duke synuar që diskutimet publike dhe vendimet politike të mbeten të pavarura nga ndikimet e jashtme dhe interesa të ngushta.

Megjithatë, kritikët e kësaj perspektive argumentojnë se koncepti i Habermasit për agorën e diskutimit mund të jetë idealist dhe i pamundur për t’u realizuar në praktikë, veçanërisht në një kohë kur mediat dhe politika janë të prekura nga manipulimi dhe interesat e fuqive të ndryshme. Duke marë parasysh ndikimin që politika dhe korporatat e kanë mbi mediat e sotme, është e qartë që diskutimi publik modern as nuk është sa duhet i lirë, e as kualitativ për të promovuar demokracinë e vërtetë për të cilën flet Habermas.

Sidoqodftë, ndikimi i Habermasit në debatin e sotëm mbi drejtësinë është i padiskutueshëm. Ai ka ofruar një kornizë teorike që nxit reflektimin dhe diskutimin rreth mënyrës sundimit të ligjit dhe organizimit shoqëror. Edhe nëse nuk ka një zgjidhje të qartë dhe të përgjithshme për shumë nga sfidat e drejtësisë, kontributi i Habermasit ofron një udhërrëfyes për të kuptuar dhe adresuar këto sfida në shoqëritë moderne.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.