Qeveria e RMV-së prezantoi pakon e nëntë të masave antikrizë me vlerë 662 milionë euro

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot prezantoi pakon e nëntë të masave antikrizë në vlerë prej 662 milionë euro, e cila u miratua sot në seancë qeveritare, transmeton Portalb.mk.

“Kjo pako përmban 26 masa për siguri sociale, të orientuara drejt mbështetjes së targetuar për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve dhe kompanive si dhe mbështetje për tejkalimin e vështirësive të rritjes së harxhimeve për jetë, por edhe kushteve për efekte të vazhdueshme nga kriza energjetike”, deklaroi Kovaçevski.

Me pakon e nëntë të masave antikrizë do të përfshihen 120 mijë të rinj, mbi 74 mijë qytetarë të kategorisë së rrezikuar sociale, mbi 187 mijë pensionistë, 40 mijë bujq, pothuajse 540 mijë shfrytëzues të aplikacionit TVSH-ja ime, 600 mijë amvisëri, si dhe mbi 70 mijë kompani.

Me masat sistematike për vitin 2023 dhe 2024 janë përfshirë mbi 338 mijë pensionistë dhe 106 mijë të puënsuar në administratë.

Kovaçevski shtoi se, për masat e dedikuara për qytetarët, amvisëritë dhe bujqit, janë ndarë mjete në vlerë prej 156 milionë euro.

Në këtë pako masash, qeveria ka siguruar mbështetje për rritjen e standardit të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme nga familje të rrezikuara sociale me të ardhura të ulëta, në vlerë prej 50 mijë denarë.

Mbi 105 mijë nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm në gjashtë muajt e ardhshëm do të marrin nga 1,200 denarë, përkatësisht 1,800 denarë, për çka nga buxheti për këtë mbështetje financiare do të ndajnë gjithësej 14,3 milionë euro.

Kovaçevski informoi se, 15 mijë studentë që jetojnë jashtë vendit të studimit, do të marrin vauçer për transport. Studentët në 7 muajt e ardhshëm do të marrin çdo muaj vauçer në vlerë prej 600 deri në 1,200 denarë, për çka janë paraparë 2 milionë euro.

“Kujdesemi për kategoritë më të rrezikuara, për sigurinë e tyre sociale. Në 5 muajt e ardhshëm nga 2000 denarë në muaj do të marrin shfrytëzuesit e kompensimit për nevoja të veçanta, për prindër vetëushqyes – shfrytëzues të ndihmës minimale të garantuar dhe për prindër të fëmijëve me nevoja të veçanta deri në 26 vjeç. Me këtë masë janë përfshirë 16,741 qytetarë, me mbështetje të përgjtihshme buxhetore prej 2,7 milionë euro”, deklaroi Kovaçevski.

Kryeministri paralajmëroi se, pensionistët me pension deri në 14 mijë denarë në pesë muajt e ardhshëm do të marrin nga 3000 denarë në muaj, ata me pension nga 14-16 mijë denarë nga 2000 denarë, ndërsa për pensionistët me të ardhura nga 16-19 mijë denarë në 5 muaj e ardhshëm do të ketë mbështetje nga 1,500 denarë. Për këtë mbështetje janë paraparë 35 milionë euro dhe janë përfshirë mbi 187 mijë pensionistë.

Kovaçevski po ashtu paralajmëroi edhe 52 milionë euro që janë siguruar për rritjen e pagave në sektorin puablik në bazë të marrëveshjes së përgjithshme kolektive, përkatësisht rritje të pagës për 10 përqind dhe pagesë të regresit prej 10 mijë denarë për pushim vjetor. Për masën e njëjtë e cila parasheh rritje të pagës, në vitin 2024 janë paraparë 150 milionë euro.