Qeveria e RMV-së mori vendim për ulje të koeficientit për llogaritjen e pagave të zyrtarëve që i emëron Qeveria

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të 11-të miratoi vendimin me të cilin ulen koeficientet për llogaritjen e pagave të zyrtarëve që i emëron Qeveria, njofton Portalb.mk.

Siç informojnë nga pres-shërbimi qeveritar, me Vendimin ulen koeficientet e pagave të zyrtarëve të emëruar në Qeveri, koordinatorëve nacional dhe zyrtarëve të tjerë, drejtorëve dhe personave të tjerë të emëruar të organeve në pozitën e ministrive, drejtorëve dhe personave të tjerë të emëruar të organeve të pavarura të administratës shtetërore, personave drejtues në organizata administrative, agjencive, fondeve dhe personave të tjerë juridikë të themeluar me ligje të veçanta, të enteve ndëshkuese-korrektuese.

Siç potencojnë, Vendimi i sotëm qeveritar për miratimin e koeficienteve për llogaritjen e pagës së zyrtarëve të emëruar nga Qeveria nuk do të shkaktojë implikime financiare shtesë për Buxhetin e Shtetit.

“Bëhet fjalë për harmonizimin e koeficienteve të personave të emëruar nga Qeveria në përputhje me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për paga dhe kompensime tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar në Republikën e Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 51/24), i cili parashikon ndryshimin e koeficienteve sipas të cilëve llogaritet paga e personave të zgjedhur dhe të emëruar”, thuhet në kumtesën e Qeverisë së RMV-së.

Përndryshe, rritja e pagave me 78 përqind për mbi një mijë zyrtarë ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mars të vitit 2023, për shfuqizimin e nenit 4 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, i cili shkriu pagat e zyrtarëve të cilat janë fiksuar që nga viti 2014. Që atëherë, bazë është paga mesatare e vitit paraprak e përcaktuar nga Enti Shtetëror i Statistikave.