Kasami do të mbetet kryetar i Tetovës: Nga e hëna fillojnë bisedimet për qeverinë me VMRO-në
Kryetari i Komunës së Tetovës dhe Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka sqaruar që prej javës tjetër do të fillojnë negociatat për qeveri, duke theksuar që do të vazhdojë të jetë në krye të komunës, transmeton Portalb.mk.
“Besoj që brenda kësaj jave do t’i kemi të gatshme grupet e punës. Nëse jo për vikend, me siguri nga e hëna mund të nisë edhe formatimin e takimeve dhe aktiviteteve rreth formatimit të Qeverisë”, deklaroi Kasami.
Ai theksoi që procesi eurointegrues do të jetë bazë për qeverinë e re, ndërsa çështjet e kuadrit i vlerësoi si fazë e dytë e bisedimeve.
“Sa i përket zgjidhjes time, vetë qytetarët e Tetovës treguan se mua më pret edhe më tutje shumë punë në Tetovë të cilat janë hapur dhe duhet të vazhdojnë”, deklaroi Kasami.
Bilall Kasami ishte udhëheqës i listës së koalicionit VLEN në zgjedhjet parlamentare, duke arritur të bëhet deputet.
Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, ai arriti të fiton më së shumti vota në Tetovë.
- LEXO: Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare 2024 në RMV dhe numri i deputetëve (Infografik)
- LEXO: Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale 2024 në RMV (Infografik)
- LEXO: Maqedonia e Veriut mbajti zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, këtu i gjeni të gjitha lajmet për procesin