Qeveria e miratoi paketën për ligjet kontroverse të arsimit të lartë, Sali: ndryshimet ishin të domosdoshme

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, njoftoi se Qeveria ka miratuar versionin final të paketës së tre ligjeve që lidhen me arsimin e lartë, përfshirë Ligjin për arsimin e lartë, Ligjin për cilësinë në arsimin e lartë dhe atë për hulumtimet shkencore. Sipas tij, këto ndryshime kanë qenë të domosdoshme pasi sistemi arsimor në vend, që nga viti 2018, është përballur me vështirësi dhe nuk ka reflektuar nevojat reale të industrisë dhe shoqërisë për arsim cilësor, transmeton Portalb.mk.

“Kemi të bëjmë me një ligj, i cili ka qenë shumë i nevojshëm për tu miratuar, pasi që nga viti 2018, sistemi arsimor te ne ka hasur në disa vështirësi në funksionim dhe nuk ka reflektuar nevojat reale edhe të industrisë edhe të popullatës për arsim të lartë cilësor. Versioni final, siç jeni të i informuar, është miratuar gjatë takimit të djeshëm në Qeveri, ku në prezencë të kryeministrit dhe të ministres për arsim dhe në prezencë të liderëve të VLEN-it. Versioni final u miratua me të gjitha sugjerimet dhe propozimet që kanë ardhur nga universitetet shqiptare”, deklaroi Sali.

Ai theksoi se gjatë gjithë procesit ka pasur koordinim të vazhdueshëm mes një komisioni të formuar në kuadër të VLEN dhe universiteteve, duke bërë që qëndrimet e tyre të harmonizohen dhe të reflektohen në draftin final të ligjit.

Një nga ndryshimet kryesore që parashihen në ligj është heqja e H-indeksit si kriter bazë për avancimet akademike. Megjithatë, universitetet do të kenë të drejtë ta përdorin atë si një nga faktorët vendimmarrës në rastet kur ka më shumë kandidatë për të njëjtin pozicion.

“Ne kemi pasur komunikim të vazhdueshëm që nga fillet e para, që kur është përpiluar ligji dhe komisioni të cilin e kemi pas të formuar në suaza të VLEN-it ka punuar në kontinuitet dhe në koordinim me të tre universitetet dhe qëndrimet e tyre kanë qenë të harmonizuara dhe të përcjella në komisionin i cili përpilonte Ligjin për Arsim të Lartë dhe ligjet që i përmenda më herët, për cilësi dhe hulumtime shkencore. Si përfundim i gjithë këtij procesi mund ta themi edhe publikisht se përfundimisht kemi arritur suksesin që të kemi një ligj të rafinuar mirë, i cili do tu përgjigjet të gjitha nevojave të arsimit të lartë në periudhën e ardhshme. Aty përfshihet edhe heqja e H indeksit, që do të ishte kriter bazë për avancimet akademike. Tani nuk do të jetë, por do të jetë e drejtë e universiteteve brenda kur ka dy ose më tepër kandidat, që H indeksi të jetë një nga faktorët vendimmarrës”, tha Sali.

Sali siguroi gjithashtu se punonjësit e universiteteve nuk do të rrezikojnë vendet e tyre të punës, duke e cilësuar këtë si një nga çështjet më të ndjeshme gjatë hartimit të ligjit.

Një tjetër risi e rëndësishme është se pesë universitetet më të mira në vend do të kenë të drejtë të organizojnë ciklin e tretë të studimeve (doktoraturat), çka hap mundësi që edhe dy universitete shqiptare të ofrojnë këtë nivel studimi.

“Natyrisht këtu kemi garantuar edhe të punësuarit në universitetet tona, se asnjë i punësuar nuk do të largohet nga vendi i punës, diçka që ishte një nga pikat e ndjeshme derisa punohej ky ligj. Ajo që neve na gëzon, dhe natyrisht është një e arritur e madhe, është marrëveshja që pesë universitetet e para do të kenë të drejtë të mbajnë zhvillimin e ciklit të tretë studimor. Kjo nënkupton se jepet mundësia që dy universitetet shqiptare të kenë të drejtë ta mbajnë edhe ciklin e tretë studimor”, tha Sali.

Projektligji për arsimin e lartë, i cili supozohet të zëvendësojë zgjidhjen aktuale ligjore, u prezantua nga Janevska më 6 shkurt të këtij viti. Disa nga risitë e publikuara deri më tani kanë shkaktuar reagime në komunitetin akademik, por edhe nga partitë politike të opozitës, disa prej të cilave kanë kërkuar tërheqjen e ligjit të ri. Zgjidhja e re ligjore është tani cak i kritikave nga partitë opozitare, veçanërisht nga Lidhja Social Demokrate, e cila sheh në të elementë që do të ishin të dëmshëm për sistemin e arsimit të lartë në vend.

Të premten, kryeministri Hristijan Mickoski komentoi gjithashtu projektligjin e ri për arsimin e lartë, duke deklaruar se sistemi që prodhon personelin më të arsimuar në vend ka pësuar dëme të mëdha nga zgjidhja ligjore e miratuar në vitin 2018.

Sipas tij, disa nga kritikat ndaj zgjidhjeve të reja ligjore janë spekulime politike dhe përpjekje për manipulim, duke theksuar, ashtu si ministri përkatës, se autonomia e universiteteve nuk është e kërcënuar.