Qeveria e Maqedonisë së Veriut e anuloi vendimin për bashkimin e të dy koncesioneve për minierën e arrit dhe bakrit

Qeveria e anuloi vendimin për bashkimin e dy koncesioneve për minierën e arrit dhe bakrit “Illovica – Shtuka”. Ministri për Ekonomi, Kreshnik Bekteshi, sot në konferencën për media informoi që kjo nënkupton një hap mbrapa në gjendjen kur nuk kishte asnjë vendim për kërkesën e “Euromax Resources”, raportoi Portalb.mk.

Kjo, vlerësoi Bekteshi, është në kundërshtim me qëndrimin dhe propozimin e ministrisë për të marrë një vendim, pavarësisht pozitiv ose negativ, për shkak mbrojtjes së interesave të shtetit në një procedurë arbitrazhi të mundshëm, në rast se ndodhte.

Ai sot prezantoi dokumentet që pasqyrojnë procedurat administrative dhe gjyqësore në lidhje me shfrytëzimin e lëndës së parë minerale në lokalitetin Illovica. Ky prezantim ishte planifikuar për dje, por ishte anuluar për sot.

“Kompanisë për prodhim, shitje dhe shërbime EUROMAKS RESOURCES SHPK Shkup, i janë dhënë dy koncesione fqinje për eksploatimin e lëndëve të para minerale – bakër dhe arin në lokalitetin “Ilovica” në komunën e Bosilovës dhe komunën e Novo Sellës. Për ta ka pasur një procedurë për dhënien e koncesioneve për kërkime të detajuara gjeologjike të lëndës së parë minerale”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Ministri Bekteshi nuk kishte votuar për anulimin e këtij vendimi, duke theksuar që përsëri Qeveria duhet të vendos në lidhje me këtë çështje, pasi një kërkesë e tillë është parashtruar në Ministrinë e Ekonomisë.

Ndryshe,  qytetarët nga mbarë vendi protestuan në Strumicë kundër hapjes së minierës së arit dhe bakrit në malin Ograzhden. Ata përcollën mesazhin se nuk do të lejojnë që fusha pjellore e Strumicës të bëhet viktimë e apetiteve të bizneseve. “Gërmoni sytë tuaj, jo arin e malit”, “Familje e lumtur ose minierë e vdekjes”, “Ta ndalojmë para se të na vrasë” ishin vetëm disa nga mesazhet që mund të dëgjoheshin gjatë protestës.

Protesta është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Vendimit të qeverisë për bashkimin e koncesioneve për minierën “Ilovica-Shtuka” pasi Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për njërin prej koncesioneve.

Me këtë vendim, qeveria edhe një herë i hapi rrugën realizimit të synimeve për nxjerrjen e arit dhe bakrit në luginën e Strumicës. Më herët, në shkurt të këtij viti, Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për një nga koncesionet, pasi Gjykata e Lartë Administrative në tetor të vitit të kaluar e ktheu çështjen në rivendim për herë të tretë. Ajo ka shkaktuar reagime te banorët e tre komunave të qarkut dhe organizatat e shoqërisë civile që prej disa vitesh luftojnë për ruajtjen e këtij rajoni bujqësor.