Qetë nga Kriva Pallanka u bënë yje mediatike si në Maqedoni ashtu edhe në Bullgari. Për dy muaj rresht, edhe në shkurt edhe në mars, pothuajse në të njëjtën aty kah fundi i muajit, këto qe e gjejnë vendin e tyre në fokusin e mediave në Maqedoni. Këto ditë ato janë bërë me fame edhe në Bullgarinë fqinje. Popullariteti i tyre ka nxjerrë në sipërfaqe trendin e raportimit sensacionalist të përforcuar nga mjetet për inteligjencë artificiale gjenerative, efekti përfundimtar i së cilës, qëllimisht ose jo, shndërrohet në jonxhë ose trëndelinë që, përveç përfitimeve të saj nutritive, i plotëson edhe nevojat për humor dhe argëtim të masave të gjera. Por ajo gjeneron edhe gjuhë urrejtjeje dhe narrative antidemokratike, transmeton Portalb.mk.
Bagëtia, ose më saktë qetë që lëvizin lirshëm nëpër arat e të tjerëve, rrugët dhe autostradat në vend, tani kanë mësuar edhe se si ta kalojnë kufirin me Bullgarinë. Siç e kanë raportuar tashmë shumica e mediave, qetë, për shkak se shteti për muaj të tërë nuk ka gjetur një zgjidhje për to, kanë vendosur ta marrin çështjen në thundrat e tyre. Kanë dashur të iknin dhe të kërkojnë azil në Bullgari, pra të hynin në Bashkimin Evropian, me çka kanë shkaktuar një incident kufitar. Tani, këta qe nga Kriva Pallanka, për shkak se nuk ishin të kujdesshëm kanë hyrë në Bullgari dhe nuk dihet se si do të jetë fati i tyre.
Disa ditë më parë mediat bullgare u morën me bagëtitë nga RMV-ja me intensitet të ngjashëm. Si burim informacioni pothuajse të gjitha citojnë Radion Kombëtare Bullgare, e cila që të martën, më 24 mars, e publikoi lajmin me titullin “Po vendoset se çfarë do të bëhet me bagëtinë që hyri në Bullgari nga RMV-ja”. Po atë ditë dhjetëra media e përcollën lajmin me tituj të ndryshëm shpikës, duke filluar nga ajo se bëhet fjalë për një incident ndërkombëtar deri te pyetja “A t’i vrasim tani gjashtë qetë e pafajshëm maqedonas?” me nëntitullin “ligjet rigoroze evropiane na detyrojnë ta bëjmë këtë”. Media të tjera lokale nuk i quajnë bagëtitë maqedonase, por bullgare, por, ja, ato e kanë kaluar kufirin nga Maqedonia e Veriut në Bullgari.
Kryetarja e komunës së Qystendilit, nën juridiksionin e të cilit është Gjueshevo, thotë se fillimisht do t’i ekzaminojnë kafshët, pastaj do të vendosin se çfarë do të bëjnë me to.
Të gjitha shkrimet mbi këtë temë e përmendin rastin e lopës bullgare Penka, e cila në vitin 2018 e kaloi kufirin bullgaro-serb dhe nuk mundi të kthehej për shkak të “ligjeve të rrepta evropiane”. Edhe pse Penka duhej të ishte vrarë, fushata e madhe për ta shpëtuar atë, e cila arriti deri te britanikja The Sun dhe peticioni i nënshkruar nga Paul McCartney, ia shpëtoi jetën. Sigurisht që kjo nuk ndodhi pa një fushatë të fortë anti-BE. Nuk është e qartë nëse një iniciativë e ngjashme shpëtimi do të ngrihet edhe për qetë nga Kriva Pallanka, pasi bullgarët do t’i pushkatojnë qetë maqedonase për shkak të rregullave të rrepta të BE-së. Me sa duket këto janë të njëjtat bagëti që një muaj më parë ishin yjet kryesore në mediat në Maqedoni, ose të paktën janë nga e njëjta tufë. Atëkohë publiku me sy dhe gojë hapur, publiku i shtangur i shikonte videot e pronares së tyre duke përdorur shkathtësinë dhe trupin e saj të hollë për ta mashtruar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe në dy ose tre hapa të ngjitej në kodër me qetë e liga para inspektorëve të rraskapitur.
AUV dhe kryetari i komunës së Kriva Pallankës, i cili është nga LSDM-ja opozitare, u zunë për atë se kush ishte përgjegjës për trajtimin e qindra bagëtive. Sipas popullatës lokale, ata për vite me radhë kanë qenë problem sepse thuhet se në mënyrë të pakontrolluar janë futur nëpër ara fushat, oborre dhe objekte ndihmëse.
Edhe atëkohë pothuajse gjysma e shkrimeve mbi këtë temë premtonin dramë, kaos dhe boksa, si dhe ishin edhe plot me mesazhe seksiste për pronaren, duke theksuar se ajo na qenka një bukuroshe e privilegjuar, рronare bjonde dhe një blegtore mis. Si atëherë ashtu edhe tani, pavarësisht faktit që mediat e sensacionalizuan ngjarjen në titujt e tyre, përmbajtja e tyre ishte pothuajse gjithmonë e njëjtë, domethënë, ato përcollën të njëjtin informacion nga i njëjti burim, vetëm se të formuluar ndryshe. Nën videot, fotot dhe postimet në rrjetet sociale mbizotëruan komentet me gjuhë urrejtjeje dhe fyerjet.
Në fund me sa duket më e rëndësishme sesa nëse do të shpëtojnë qetë është pyetja nëse mediat do të çlirohen nga dëshira për të korrur klikime me çdo kusht. Sepse, përderisa qetë e kalojnë kufirin shtetëror në kërkim të një trëndeline më të njomë, mediat i shkelin kufijtë etikë pa i marrë parasysh pasojat. Dhe kjo nuk është më as qesharake, as e padëmshme.