Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë në regjistrimin gjenetik të ariut të murrmë

Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e projektit për regjistrimin gjenetik të ariut të murrmë, i cili do të përfshijë të gjithë popullatën dinariko-pindike të kësaj kafshe në vendet që shtrihen nga Alpet deri në Detin Egje. Bëhet fjalë për popullatën më të madhe të ariut të murrmë në Evropë, me rreth 4.000 , transmeton Portalb.mk.

Në Maqedoninë e Veriut, hulumtimi do të zhvillohet në pjesët perëndimore të vendit, nga Malet e Shkupit dhe Sharri në veri, deri te Pelisteri, Nixhe dhe Kozhufi në jug, ndërsa synimi është që deri në fund të vitit 2026 të mblidhen 900 mostra gjenetike.

Përvojat e deritanishme në Slloveni dhe Kroaci tregojnë se suksesi i monitorimit gjenetik varet drejtpërdrejt nga numri i mostrave të mbledhura. Për këtë arsye, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në proces kanë pylltarët, rojtarët në zonat e mbrojtura, kujdestarët e gjuetisë, gjuetarët, mbledhësit e bimëve mjekësore, frutave të pyllit dhe kërpudhave, por edhe alpinistët, çiklistët dhe entuziastët e dashamirësit lokalë të natyrës.

“Monitorimi gjenetik nënkupton mbledhjen joinvazive të mostrave gjenetike nga materialet që kafshët lënë në mjedis. Në rastin e ariut, do të mbledhim mostra të jashtëqitjes, nga të cilat më pas do të lexojmë gjenotipin e secilit individ, si një lloj ‘gjurme gishti’ gjenetike. Kështu, sa herë që më vonë të gjejmë jashtëqitje të së njëjtës kafshë, do ta dimë se i përket asaj dhe mund ta identifikojmë edhe pasi të ketë ngordhur”, shpjegon Aleksandar Stojanov, koordinator i projektit në Shoqatën Ekologjike të Maqedonisë, e cila në partneritet me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor udhëheq aktivitetin.

Përveç numrit të arinjve të murrmë, i cili është specie rreptësisht e mbrojtur në vend, regjistrimi gjenetik do të sigurojë të dhëna edhe për përhapjen dhe diversitetin e tij gjenetik, duke mundësuar një kuptim më të mirë të ekologjisë së kësaj kafshe.

Pikërisht për këtë arsye, ky proces paraqet një hap të parë të domosdoshëm drejt hartimit të një strategjie gjithëpërfshirëse për ruajtjen e ariut të murrmë në rajonin dinariko-pindin, që është edhe qëllimi kryesor i projektit të bashkëfinancuar përmes Programit LIFE të Bashkimit Evropian, ku marrin pjesë 21 partnerë nga 9 vende evropiane.

“Si organi shtetëror përgjegjës për mbrojtjen dhe ruajtjen e biodiversitetit, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet e përkushtuar në misionin për ta mbrojtur dhe menaxhuar në mënyrë të përshtatshme popullatën e ariut të murrmë. Mbrojtja afatgjatë e kësaj specieje dhe habitateve të saj kërkon edhe koordinim me institucionet relevante dhe palët e interesuara”, thonë nga ministria.

Nga ministria shtojnë se në fillim të shtatorit është mbajtur takim me përfaqësues të institucioneve përkatëse kombëtare, ku u prezantuan metodologjia, aktivitetet e planifikuara, afati kohor dhe mënyra e zbatimit të monitorimit gjenetik në periudhën e ardhshme.

“Pikërisht ky monitorim do të na japë bazën për planifikimin dhe zbatimin e mëtejshëm të masave për mbrojtjen e natyrës gjatë menaxhimit të popullatës së kësaj specieje”, thonë nga ministria.

Projekti do të fokusohet gjithashtu në krijimin e mekanizmave të nevojshëm ligjorë dhe menaxhues, si dhe të kushteve socio-ekonomike për të siguruar ruajtjen e ariut të murrmë përgjatë masivit malor dinariko-pindin.

Një nga synimet kryesore është edhe zbutja e konflikteve mes njerëzve dhe arinjve, si dhe mbrojtja e habitateve të rrezikuara, të cilat konsiderohen ndër kërcënimet kryesore për qëndrueshmërinë e kësaj popullate në vend.