Qendra për Kulturë në Tetovë e mbylli vitin 2025 me disa projekte, për 2026 presin vendimet e ministrisë

Qendra për Kulturë në Tetovë e ka mbyllur vitin 2025 me shumë aktivitete, ndërsa për aktivitetet e vitit 2026 presin vendimet nga Ministria e Kulturës, shkruan Portalb.mk.

Njomza Imeri Ismaili drejtoresh e Qendrës për Kulturë në Tetovë, për Portalb.mk tha se viti i kaluar ka qenë një vit mjaft i mbarë, me shumë aktivitete, me shumë gjallëri.

Foto nga arkivi personal i Njomza Imeri Ismaili. Foto: Njomza Imeri Ismaili
Foto nga arkivi personal i Njomza Imeri Ismaili. Foto: Njomza Imeri Ismaili

“Jemi munduar që Qendra për Kulturë në Tetovë të jetë në një nivel superior, sepse aty duhet të jetë. Për mua ka qenë diçka e re, sepse në mes të këtij viti unë e kam marrë detyrën e udhëheqjes së këtij institucioni, po me shumë kënaqësi e them se falë bashkëpunimit të mrekullueshëm me kolektivin kemi arritur të nxjerrim në pah vetëm anët pozitive të institucionit, duke u marrë tanë kohën me aktivitete të ndryshme kulturore, ndërsa mangësitë që kemi, jemi munduar t’i mbajmë për vete dhe mos të shfaqen te publiku. Prej muajit qershor e deri në dhjetor kemi organizuar për një gjysëm vjetor diku 12 aktivitete tona të Qendrës për Kulturë dhe shumë aktivitete tjera që i kemi realizuar me bashkëpunime, ku ia vlen të përmendet jazz festivali me Elina Duni dhe festivali i filmit TIFF ODA”, tha Imeri Ismaili.

Ajo tha se aktivitetet kanë qenë shumë të mirëpritura nga publiku , ku përmendi disa nga aktivitetet që kanë lënë gjurmë siç është festivali tradicional “TEUTA”, pastaj koncerti i tenorëve Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka, koncerti me SHKA “TANEC” dhe koncerti madheshtor i cili për herë të parë u mbajt në Tetovë është koncerti me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare.

“Pra, kanë qenë një sërë aktivitetesh që neve na kanë harxhuar shumë energji, por që kur e shohim rezultatin e arritur, duartrokitjet e marra nga publiku, sikur e gjitha lodhja mbështillet me ndjenjën e kënaqësisë. Sfida ka pasur, nuk mund të themi se gjithçka ka kaluar në një rrugë të lehtë, jemi ballafaquar me probleme të ndryshme, por dëshira e madhe për punë na ka ndihmuar që t’i menaxhojmë dhe t’i tejkalojmë në mënyrë sa më të lehtë”, tha Imeri Ismaili.

Ajo shtoi se kanë shumë plane, si për projekte kulturore ashtu edhe për investime, por aktualisht ato janë ende në shqyrtim nga komisionet dhe po presin vendimin se cilat do të mbështeten nga ministria.

“Për plane kemi plot, si me projekte kulturore ashtu edhe me investime, por për këto do të doja të flasim me tutje sepse projektet janë akoma ne shqyrtimin e komisioneve dhe nuk kemi vendim se në çka do të kemi përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Objekti siç e dini është i vjetër dhe vazhdimisht në ndonjë pjesë kërkohet intervenim, dhe me këto probleme ballafaqohemi çdo ditë, por shpresoj që edhe këto do arrijmë t’i menaxhojmë ashtu siç duhet”, tha Imeri Ismaili.