Që nga viti 2019 Stojançe e rrihte dhe e poshtëronte vazhdimisht Ivanën, edhe pse ishte denoncuar askush nuk ndërmori asgjë

Prokuroria Publiek ka dhënë sot detaje të reja në lidhje me rastin tragjik në Karposh, prej ku thanë se një prokuror publik po vepron kundër të dyshuarit, bashkëshortit të së ndjerës Ivana Jovanovski, me të cilin ajo ishte në proces divorci. Sipas njoftimit, ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer veprat penale nxitje për vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje, lëndim trupor dhe rrezikim të sigurisë, transmeton Portalb.mk.

“Nga kallëzimi penal, si dhe nga provat shtesë të siguruara, rezulton se në periudhën nga viti 2019 deri më 2 mars, kur e dëmtuara – tashmë e ndjera Ivana Jovanovski – mori vendimin t’i japë fund jetës, i dyshuari, bashkëshorti i saj me të cilin ishte në proces divorci, në disa raste dhe në mënyrë të vazhdueshme e ka keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht e ka fyer vazhdimisht, e ka rrahur, e ka poshtëruar dhe i ka shkaktuar lëndime të dukshme në të gjithë trupin. Këto ngjarje janë denoncuar në institucionet kompetente nga e ndjera, por edhe nga dëshmitarë dhe persona të tjerë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, një sjellje e tillë është intensifikuar gjatë viteve 2025 dhe 2026, duke e çuar viktimën në një gjendje pa rrugëdalje.

“Kjo sjellje e ashpër dhe çnjerëzore nga ana e të denoncuarit, si bashkëshort i saj, u intensifikua gjatë viteve 2025 dhe 2026, për shkak të së cilës e ndjera u gjend në një situatë pa rrugëdalje dhe vendosi të bëjë vetëvrasje. Ajo mori në duar fëmijën dhe u hodh nga ballkoni i katit të gjashtë të banesës ku jetonin, pas çka të dyja ranë në sipërfaqen e betonit para ndërtesës dhe vdiqën në vend”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria njoftoi se tragjedisë i kanë paraprirë disa incidente po atë ditë. Sipas gjetjeve të tyre, i dyshuari fillimisht e kishte kërcënuar dhe e kishte goditur viktimën pranë vendit të saj të punës.

“Në ditën kritike paraprinë disa ngjarje. I dyshuari fillimisht e kërcënoi dhe filloi ta godiste të dëmtuarën pranë vendit të saj të punës. Më pas, ndërsa po udhëtonin me një makinë të drejtuar nga një person i tretë drejt Gjykatës Themelore Penale në Shkup, ai vazhdoi ta kërcënonte se do ta vriste, duke i shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie. Afër gjykatës e sulmoi fizikisht dhe i shkaktoi lëndime trupore – hematoma në kokë dhe në trup”, njoftoi Prokuroria.

Pas këtyre ngjarjeve, bashkëshortët së bashku me një nga dëshmitarët shkuan në shkollë për të marrë vajzën e tyre gjashtëvjeçare dhe më pas u kthyen në shtëpi.

“Pasi nga shkolla morën vajzën 6-vjeçare, dëshmitari i çoi në shtëpi që e dëmtuara të përgatiste gjërat dhe të shkonte te nëna e saj. Ndërsa dëshmitari dhe i dyshuari qëndronin para ndërtesës, e dëmtuara u mbyll në banesë me fëmijën dhe aty kreu vetëvrasjen”, thuhet në njoftim.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. Nga Prokuroria theksojnë se hetimi vazhdon dhe po mblidhen prova shtesë.

“Prokuroria vazhdon të mbledhë prova për këtë ngjarje komplekse. Për shkak të rrezikut të arratisjes së të dyshuarit, mundësisë për ndikim mbi dëshmitarët dhe ekspertët, si dhe gjasës që ai të kryejë përsëri vepra penale, prokurori kompetent vlerëson se masa e paraburgimit është e domosdoshme për sigurimin e tij gjatë procedurës”, thuhet në njoftim.

Tragjedia në Karposh ndodhi më 2 mars, kur nëna Ivana dhe vajza e saj gjashtëvjeçare Katja humbën jetën pasi ranë nga ballkoni i katit të gjashtë të ndërtesës ku jetonin.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski të nesërmen deklaroi në konferencë për shtyp se policia kishte qenë në vendngjarje rreth dy orë para tragjedisë, pasi në orën 12:05 ishte pranuar një denoncim për një grindje. Policia kishte mbërritur në 12:19 dhe kishte biseduar me gruan, e cila atëherë kishte nënshkruar një deklaratë se nuk kishte pasur kontakt fizik mes saj dhe bashkëshortit dhe se nuk kërkonte fillimin e procedurës.

Sipas Toshkovskit, policia posedon edhe një video incizim nga e njëjta ditë, ku shihet i dyshuari duke e goditur viktimën. Ai informoi se i dyshuari më parë ishte raportuar për dhunë në familje dhe kishte një histori kriminale me dhjetë kallëzime penale për dhunë, vjedhje dhe tregti me drogë.

Pas tragjedisë, fqinjët dhe të afërmit e së ndjerës deklaruan publikisht se dhuna në familje ishte raportuar për vite me radhë, por institucionet nuk kishin reaguar siç duhet. Vëllai i viktimës shkroi në rrjetet sociale se “pas viteve të raportimit të dhunës familjare, dhunës fizike dhe psikologjike ndaj të dyjave, kërcënimeve, denoncimeve dhe një tentative për vrasje në mes të një institucioni shtetëror, humba mbesën dhe motrën”, duke akuzuar se sistemi kishte dështuar t’i mbrojë.

Pavarësisht ndryshimeve në Kodinin Penal në janar të këtij viti, sipas të cilave MPB duhet të veprojë ndaj denoncimeve për dhunë në familje edhe kur viktima nuk nis procedurë, policia sipas kritikëve nuk po i zbaton këto risi.