Që nga fillimi i dhjetorit në RMV janë regjistruar 18.318 shkelje të rregullave të trafikut, 123 persona janë privuar nga liria

Në periudhën nga 01.12.2025-28.12.2025, si rezultat i kontrolleve të rregullta të trafikut të kryera nga zyrtarët e policisë nga të gjitha sektorët e punëve të brendshme në rrugët në të gjithë vendin, nga gjithsej 18,318 urdhërpagesa të lëshuara, 4,019 shkelje kanë të bëjnë me shoferë që nuk kanë respektuar kufirin e shpejtësisë së përcaktuar, transmeton Portalb.mk.

“123 persona u privuan nga liria për drejtim mjeti të pakujdesshëm në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal, nga të cilët 100 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, 13 për drejtim mjeti me shpejtësi më të lartë se shpejtësia e lejuar në një zonë të ndërtuar, shtatë për drejtim mjeti me shpejtësi më të lartë se shpejtësia e lejuar jashtë një zone të banueshme, tre për drejtim mjeti në drejtim të ndaluar”, thonë nga MPB.

Sipas rishikimit statistikor të aktiviteteve policore, gjatë muajit dhjetor, u regjistruan 5,018 shkelje për parkim të papërshtatshëm, u vendosën 1,843 masa ndaj shoferëve që drejtonin automjet pa patentë shoferi, si dhe 679 sanksione për drejtim nën ndikimin e alkoolit.

“Nga ana tjetër, dhe në përputhje me dispozitat e Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor, 18 shoferë motoçikletash u sanksionuan për mosmbajtje të kaskës mbrojtëse, ndërsa u sanksionuan gjithashtu 415 këmbësorë. 1,046 persona u sanksionuan gjithashtu për mospërdorim të rripit të sigurimit. Në përputhje me Ligjin për Automjetet, 322 automjete u hoqën nga trafiku për shkak se nuk ishin të regjistruara, ndërsa 172 për shkak të mosfunksionimit teknik. 101 shoferë u sanksionuan gjithashtu për mospërmbushje të kushteve të përcaktuara në lidhje me errësimin e xhamave të automjeteve (folive)”, shtojnë nga MPB.

Kontrollet e trafikut vazhdojnë edhe në ditët në vijim. MPB u bën thirre të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe të kontribuojnë së bashku për rrugë më të sigurta.

Kujtojmë se me vënien në funksion të Qytetit të Sigurt, për 24 orë u regjistruan 110.000 shkelje.