Punuan për dekada, sot ngelën të shtypur: Ish-punëtorët e ‘Napredok’ enden në gjykatë për rrogat e papaguara
Ish-punëtorët e shtypshkronjës ‘Napredok’ në Tetovë edhe sot ishin në Gjykatën e Tetovës për seancën gjyqësore për 10 rrogat të cilat nuk i kanë marrë, për shkak të mbylljes së shtypshkronjës, raporton Portalb.mk.
Rreth 40 ish-punonjës kanë mbetur me paga të prapambetura. Ata thonë se nuk iu intereson kush është fajtori, ju intereson t’i marrin rrogat e tyre.
Elez Jashari tha se 45 vite ka punuar te shtypshkronja ndërsa tani është në pension.
“Ne duam rroga, tonat që duhet të na japin. Që një vit e gjysmë jemi në gjykatë, asnjë seancë nuk ka, çka do bëhet nuk e di. Kemi fatura, kredite, rrymë, mbeturina, ujë, fëmijë të vegjël, nipa, ato duan nuk pyesin a ke a nuk ke. Të na japin rrogat, kjo mund të kryhet edhe për gjysmë ore, që një vit e gjysmë nuk e dimë çka është puna”, tha Jashari.
Ata thonë se një vit e gjysmë enden nëpër gjykatë dhe nuk e dinë se pse anulohet vazhdimisht seanca, ndërsa e radhës është më 10 shtator.
“Kemi rreth një vit e gjysmë duke kërkuar pagat tona, na kanë borxh dhjetë paga , deri më tani nuk është mbajtur asnjë seancë, ashtu si vijmë ashtu dalim. Nuk na intereson kush është fajtor, duam vetëm rrogat tona. Është e tmerrshme që dikush të të detyrohet dhjetë rroga në këtë varfëri, unë dhe partneri im, të dy punojmë për të njëjtën kompani, tani kemi mbetur në rrugë“, tha Zhivka Dimovska.
Pas anulimit të seancës pyetëm edhe pronarin e shtypshkronjës se kur do të marrin të punësuarit rroga , ai u përgjigj shkurt se për këtë duhet të pyesim drejtorin.
Ndryshe, shtypshkronja Napredok është ndër shtypshkronjat më të vjetra në rajonin e Tetovës. Kjo shtypshkronjë ka qenë shtetërore, ndërsa më pas u privatizua dhe ka funksionuar deri në fund të vitit 2023.