Punonjësit e shërbimit të Prokurorisë së RMV-së reaguan se zgjidhja e re ligjore nuk është hap reformues

Punonjësit e shërbimit të prokurorisë publike në të gjitha prokuroritë e vendit reaguan sot përmes një komunikate me shkrim ndaj projektligjit të ri për shërbimin e prokurorisë publike, i cili tashmë ndodhet në procedurë parlamentare. Sipas tyre, zgjidhja e propozuar ligjore, e cila duhet të zëvendësojë ligjin ekzistues të miratuar para 10 vitesh, nuk përfaqëson një hap reformues, por, siç thonë ata, një mundësi të humbur për zbatimin e ndryshimeve të domosdoshme në sistemin e prokurorisë publike, transmeton Portalb.mk.

Ajo që i shqetëson veçanërisht punonjësit e shërbimit të prokurorisë publike, thuhet në reagim, është fakti se versioni i dorëzuar në Kuvend devijon në mënyrë thelbësore nga zgjidhjet e përgatitura nga Grupi i Punës, në të cilin, sipas tyre, morën pjesë përfaqësues të Prokurorisë Publike, institucioneve kompetente, komunitetit akademik dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Një pjesë e madhe e zgjidhjeve që ishin rezultat i punës disamujore nuk janë pasqyruar në tekstin e ligjit, pa u dhënë ndërkohë asnjë arsyetim përse janë braktisur” thuhet në komunikatë.

Nga shërbimi shtojnë se, edhe pse ligji paraqitet si pjesë e proceseve reformuese dhe përmbushjes së detyrimeve nga Agjenda e Reformave, në tekstin e propozuar nuk dallohen zgjidhjet kyçe të orientuara, sipas tyre, drejt forcimit të pavarësisë së Prokurorisë Publike dhe veçimit të shërbimit të prokurorisë publike nga sistemi i administratës publike.

Sipas punonjësve të shërbimit të prokurorisë publike, ligji i propozuar ruan mekanizmat ekzistues të varësisë në menaxhimin e burimeve njerëzore, nuk i tejkalon problemet me mungesën e kuadrit dhe nuk parashikon përmirësim thelbësor të statusit material të të punësuarve.

Për më tepër, thonë ata, në versionin që po shqyrtohet në Kuvend është ruajtur sistemi ekzistues i llogaritjes së pagave.

“Është veçanërisht shqetësuese që ligji paraqitet si një hap i rëndësishëm reformues, ndërsa nga analiza e tij rezulton se pjesa më e madhe e dispozitave janë marrë nga Ligji ekzistues për shërbimin e prokurorisë publike, ndërsa ndryshimet janë të kufizuara dhe nuk sigurojnë ndryshime thelbësore në sistem” thuhet në reagim.

Në këtë drejtim, nga shërbimi i prokurorisë publike theksojnë se zgjidhja e re ligjore, në vend që të sigurojë pavarësi më të madhe të Prokurorisë Publike dhe ndarje të vërtetë të shërbimit të prokurorisë publike nga sistemi i administratës publike, ligji i propozuar ruan kufizimet ekzistuese, nuk i kapërcen problemet kadrovike dhe nuk ofron zgjidhje për sfidat shumëvjeçare me të cilat përballet shërbimi.

Punonjësit në prokuroritë publike paralajmërojnë se miratimi i këtij projektligji në formën e paraqitur nuk do të çojë në forcimin e kapaciteteve institucionale të Prokurorisë Publike, por do të ruajë të njëjtat dobësi për shkak të të cilave, sipas tyre, reforma ishte nisur që në fillim.

Ata u bëjnë thirrje deputetëve që para miratimit përfundimtar të ligjit të shqyrtojnë me kujdes vërejtjet e shërbimit të prokurorisë publike dhe të sigurojnë zgjidhje ligjore që, sipas tyre, do të kontribuojnë realisht në pavarësinë, efikasitetin dhe profesionalizimin e sistemit të prokurorisë publike.

Punonjësit e shërbimit të prokurorisë publike informojnë se sot do të dorëzojnë një reagim më të detajuar lidhur me projektligjin në Kuvend dhe në Delegacionin e Bashkimit Evropian në vend.

Ndërkaq, sipas faqes zyrtare të Kuvendit, projektligji për shërbimin e prokurorisë publike është pranuar në organin ligjvënës më 5 qershor, pra të premten e kaluar, dhe tashmë ndodhet në procedurë parlamentare, konkretisht në lexim të dytë. Propozues është Qeveria, përkatësisht Ministria e Drejtësisë, përmes ministrit përgjegjës Igor Filkov.

Në pjesën e arsyetimit përse propozohet një zgjidhje e re ligjore që do të zëvendësojë atë të miratuar në vitin 2015, thuhet se janë paraparë zgjidhje të ngjashme si në këtë projektligj ashtu edhe në projektligjin për shërbimin gjyqësor.

“Të dy ligjet kanë të bëjnë me rregullimin e statusit të veçantë të punonjësve në gjykata dhe prokurori publike, gjë që do të mundësojë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe realizimin e garancive të sistemit të drejtësisë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet në arsyetimin e projektligjit për shërbimin e prokurorisë publike.

Në këtë drejtim, në tekst shtohet se, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për zgjidhje të ngjashme, edhe ky projektligj është harmonizuar me dispozitat e Ligjit për nëpunësit administrativë.

Në nenin 1 të projektligjit thuhet se me këtë ligj rregullohen të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë, si dhe sistemi i pagave dhe kompensimeve të pagave për të punësuarit në shërbimin e prokurorisë publike, ndërsa në nenin 2 përcaktohet se kush e përbën këtë shërbim.

“Shërbimi i prokurorisë publike përbëhet nga nëpunës të veçantë shtetërorë (në vijim: nëpunës të prokurorisë publike), nëpunës shtetërorë dhe personel ndihmës-teknik (në vijim: persona të punësuar në prokuroritë publike për mbështetje teknike dhe punë të tjera ndihmëse-organizative)”, thuhet në nenin 2.

Në paragrafin 1 të nenit 3 thuhet se nëpunës të prokurorisë publike janë personat e punësuar në prokuroritë publike që kanë statusin e një lloji të veçantë të nëpunësve shtetërorë dhe kryejnë punë profesionale dhe administrative për nevojat e Prokurorisë Publike, në përputhje me këtë ligj dhe ligje të tjera.

Paragrafi 5 i të njëjtit nen, i cili ka të bëjë me të drejtat dhe detyrimet e të punësuarve në shërbimin e prokurorisë publike, përcakton se ata i ushtrojnë këto të drejta dhe detyrime në përputhje me këtë ligj dhe kontratat kolektive, ndërsa për çështjet që lidhen me marrëdhënien e punës dhe që nuk janë të rregulluara me këtë ligj, zbatohen Ligji për nëpunësit administrativë, Ligji për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligji për marrëdhëniet e punës.