Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër ish Avokatit të Shtetit Stafa për marrje ryshfeti për të ndikuar te një gjykatës
Pas hetimit të realizuar, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHPNKOK) sot deri te Gjykata Themelore Penale Shkup ka dorëzuar aktakuzë kundër ish Avokatit të Shtetit Fehmi Stafa për veprën penale marrje të shpërblimit për ndikim kundërligjor, njofton Portalb.mk.
Sipas aktakuzës, siç kumtoi PTHPNKOK, i akuzuari në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor të vitit 2025, me qëllim që të përfitojë dobi pronësore kundërligjore, ka marrë shumë të përgjithshme prej 50.000 euro.
Qëllimi, siç thonë nga Prokuroria, ka qenë që të ndërmjetësojë dhe ta shfrytëzojë ndikimin e tij real, me qëllim që të intervenojë te një gjykatës në Gjykatën e Apelit dhe përmes dhënies së ryshfetit të ndikonte që të ndërmerrej një veprim zyrtar që nuk duhej të ishte ndërmarrë.
Së bashku me aktakuzën, prokurori publik kompetent ka dorëzuar edhe propozim për vazhdim të masës së paraburgimit për Stafën, duke marrë parasysh rrethanat e pandryshuara në bazë të të cilave iu shqiptua më parë.
Përndryshe, ish Avokati i Shtetit u arrestua më 13 dhjetor të vitit të kaluar, në kuadër të një procedure të iniciuar kundër tij nga PTHPNKOK për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ai ka kryer krimin e marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm.
Siç atëherë informoi Prokuroria, në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor, i dyshuari Stafa mori gjithsej 50,000 euro për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij, pra një personi që ai përfaqësonte si avokat.
Menjëherë pas marrjes së parave, i dyshuari Stafa u privua nga liria, dhe paratë iu gjetën dhe iu konfiskuan.
Përndryshe, personi për të cilin ish Avokati i Shtetit duhej të vepronte për heqjen e masës së paraburgimit është i dyshuari në rastin “Zinxhiri”, Lupço Pecov, i njohur me nofkën Djalli.
Stafa, i cili është avokati i Pecovit në këtë rast, kishte paraqitur kërkesë disa muaj më parë për të zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak në mungesë të Pecovit, për të cilën ishte ofruar edhe garanci.
Disa ditë pas arrestimit të Stafës, konkretisht më 16 dhjetor, Pecov, i cili deri atëherë kishte qenë në arrati, u dorëzua vetë te autoritetet e përndjekjes dhe menjëherë u nxor para gjykatësi të procedurës paraprake.