Protestuesit e opozitës serbe përpiqen të hyjnë në Kuvendin e Beogradit

Policia në Serbi hodhi gaz lotsjellës të dielën për të penguar qindra mbështetës të opozitës që provuan të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit të Beogradit, në shenjë proteste ndaj atyre që vëzhguesit thanë se ishin parregullsi të gjera gjatë zgjedhjeve të përgjithshme fundjavën e kaluar.

Autoritetet kanë mohuar të ketë pasur mashtrim me vota. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të dielën se këto pretendime ishin “gënjeshtra” të hapura të nxitura nga opozita politike, transmeton Zëri i Amerikës.

Policia u vendos brenda ndërtesës së kuvendit të bashkisë së Beogradit duke hedhur gaz lotsjellës, ndërsa qindra protestues të opozitës thyen xhamat në hyrje të ndërtesës.

Protestuesit brohorisnin “hapeni derën” dhe “hajdutë”, ndërsa hodhën vezë mbi ndërtesën. Disa brohoritën “Vuçiçi është Putin”, duke e krahasuar presidentin serb me udhëheqësin rus.

Partia Përparimtare Serbe në pushtet fitoi 46.72 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare fundjavën e kaluar, sipas rezultateve paraprake të komisionit shtetëror të zgjedhjeve.

Një mision vëzhgues ndërkombëtar tha të hënën se Partia Përparimtare përfitoi në mënyrë të padrejtë përmes ndikimit të papërshtatshëm të presidentit Vuçiç dhe parregullsive në votim, siç ishte blerja e votave.

Një koalicion opozitar i qendrës së majtë “Serbia kundër dhunës” doli i dyti në zgjedhje me 23.56 të votave.

Pesë udhëheqës të opozitës janë në grevë urie, pasi opozita thotë se i është rrëmbyer fitorja për pushtetin lokal në Beograd dhe u ka kërkuar institucioneve evropiane të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve në Serbi, derisa të përfundojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsitë gjatë votimeve.