Prokurorja e Parisit: Grabitja në Luvër u krye nga kriminelë të vegjël vendas, jo profesionistë
Vjedhja e guximshme e xhevahireve të Luvrit me vlerë 88 milionë euro (61 milionë paund) u krye nga kriminelë të vegjël, jo profesionistë nga bota e krimit të organizuar, tha zyra e prokurorit të Parisit, transmeton Portalb.mk.
Dy javë më parë, dy burra parkuan një kamion me ashensor përpara Luvrit, u ngjitën në katin e dytë, thyen një dritare, hapën vitrinat që përmbanin xhevahire të vlefshme perandorake dhe më pas u arratisën me motoçikleta të drejtuara nga dy bashkëpunëtorë. Vjedhja zgjati më pak se shtatë minuta, duke i bërë autoritetet dhe ekspertët të arrinin fillimisht në përfundimin se vetëm profesionistët e nivelit të lartë mund ta kishin kryer një vjedhje të tillë.
“Tani që tre nga katër hajdutët e dyshuar janë në burg, është e qartë se profili i tyre nuk i përshtatet stilit të gangsterëve profesionistë nga filmi ‘Ocean’s Eleven’, por më tepër kriminelëve të vegjël nga periferitë e ashpra veriore të Parisit. Ky nuk është pikërisht delinkuencë e përditshme, por është delinkuencë që ne përgjithësisht nuk e shoqërojmë me nivelet e larta të krimit të organizuar”, tha prokurorja e Parisit Laure Bequo.
Deri më tani, katër persona janë arrestuar në lidhje me grabitjen, përfshirë të dashurën e njërit prej hajdutëve.
“Ata nuk duken si profesionistë në krimin e organizuar të aftë për të kryer operacione komplekse. Këta janë qartësisht njerëz vendas. Të gjithë jetojnë pak a shumë në Saint-Denis”, shtoi Bequo.
Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez tha se i dyshuari i fundit që është ende në arrati ishte ndoshta truri i grabitjes.
Media franceze spekuloi se hajdutët ishin amatorë, pasi xhevahiri më i vlefshëm i vjedhur, kurora e Perandoreshës Eugénie, ra gjatë arratisjes së tyre, ata lanë vegla, një dorezë dhe sende të tjera në vendngjarje dhe nuk e dogjën kamionin para se të iknin. Një javë pas grabitjes, policia arrestoi dy burra të dyshuar për hyrje me forcë në Luvër: një algjerian 34-vjeçar që kishte jetuar në Francë që nga viti 2010 dhe një 39-vjeçar që ishte akuzuar tashmë për vjedhje të rëndë. Dy persona të tjerë u arrestuan më 29 tetor.