Prokuroria paraqiti ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Tetovës për rastin e Teodora Ristovskës

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë u ankua kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Tetovë të datës 07.04.2025, me të cilin i pandehuri Mensur Pajaziti është dënuar – për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ankesa është bërë për shkak të masës së sanksionit penal, i cili sipas prokurorit është tepër i butë në raport me peshën e krimit të kryer dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të pandehurit, transmeton Portalb.mk.

Ndër rrethanat për të cilat prokuroria kërkon dënim më të rëndë janë edhe pasojat veçanërisht të rënda të aksidentit të komunikacionit, në të cilin lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësorja Teodora Ristovska nga të cilat më pas ka ndërruar jetë.

Prokuroria Publike Tetovë e ka marrë parasysh mendimin e Këshillit Gjyqësor të paraqitur në lidhje me këtë lëndë para se të përfundonte në mënyrë të fuqiplotë.

Mirëpo, duke qenë se Prokuroria Publike në procedurën paraprake për këtë ngjarje në asnjë moment nuk është pajtuar me dënimin me dy vjet burgim, prokurori publik kompetent mendon se ka ende hapësirë ​​për korrigjim të sanksionit.

Gjithashtu, interesi i përgjithshëm publik, i shkaktuar nga shpeshtësia e krimeve të tilla si dukuri, tregon nevojën e forcimit të politikës penale si mekanizëm parandalues, prandaj prokurori publik vendosi të shfrytëzojë mundësinë ligjore dhe të kërkojë nga Gjykata e Apelit të Gostivarit ndryshimin e dënimit në dënim më të lartë.

Gjithashtu, familja e viktimës, e cila nuk ka të drejtë ankese në këtë fazë të procedurës, i ka kërkuar prokurorisë që të apelojë vendimin.

Nga Gjykata Themelore në Tetovë më 10 prill dolën me reagim pas kritikave në opinion për aktgjykimin e shpallur ndaj Mensur Pajazitit, i cili më 7 prill u shpall fajtor për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, dhe u dënua me 2 vjet burg, pasi më datë 15.08.2022 shkaktoi aksident në trafik ku vdiq 22-vjeçarja Teodora Ristovska. Nga Gjykata thanë se “gjykatësit kanë vepruar sipas ligjit” dhe bëjnë thirrje që të mos linçohen dhe të mos cenohet pavarësia e gjyqësorit funksionimi i shtetit ligjor.

 7 prill, Gjykata Themelore e Tetovës i ka shqiptuar dy vite burg Mensur Pajazitit, për aksidentimin e Teodora Ristovskën në një vendkalim për këmbësorë, e cila më pas ndërroi jetë në spital.

Ky rast ishte në rigjykim.

Paraprakisht Gjykata Themelore e Tetovës Pajazitin e dënoi me tre vjet e gjashtë muaj burg.

Më pas, Gjykata e Apelit ia zvogëloi dënimin në dy vjet. 

Kurse Gjykata Supreme i anuloi të dy aktgjykimet dhe e ktheu gjykimin në Gjykatën Themelore të Tetovës. 

Teodora u përplas në një vendkalim për këmbësorë më 15 gusht 2022 në Bulevardin “Video Smilevski Bato”, i njohur ndryshe si Rruga Industriale. Ajo ndërroi jetë pak ditë më pas në spital.