Një burrë nga Struga sulmoi policët në stacion policor për shkak të një veture të konfiskuar

Prokuroria Themelore Publike Strugë kërkon paraburgim për 30-vjeçarin i cili sulmoi zyrtarët policorë në një stacion policor. I dyshuari, siç thuhet, më 26 korrik ka hyrë në objektin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Strugë dhe ka filluar të bërtasë dhe të ofendojë zyrtarët policorë për shkak të një veture të konfiskuar, transmeton Portalb.mk.

“Kur i kanë kërkuar që të largohet nga objekti dhe të tregojë identifikimin, ai ka goditur me bërryl njërin prej policëve në bark dhe ka tentuar të ikë. Derisa po e ndalonin, i dyshuari e ka goditur policin edhe disa herë, duke i lënduar krahun, qafën dhe gjoksin. Duke marrë parasysh se vepra është kryer me arrogancë të veçantë, përkatësisht është sulm ndaj policëve në stacionin policor, prokurori publik ka vlerësuar se ekziston mundësia që i dyshuari ta përsërisë veprën. Ka edhe rrethana që tregojnë se ai mund të arratiset për të shmangur ndjekjen penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Për këto arsye prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Strugë propozim për caktimin e masës së paraburgimit. I dyshuari ndiqet për veprën penale sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë në pajtim me nenin 383 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.