Procedurë ndaj tre të dyshuarve për sulm ndaj zyrtarëve policor në Shkup
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka filluar procedurë kundër tre personave të dyshuar se kanë kryer së bashku një vepër penale – Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë sipas nenit 383, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Të tre bashkëpunëtorët, së bashku me një fëmijë tjetër kundër të cilit do të zhvillohen procedurat përkatëse në përputhje me Ligjin për Drejtësinë për Fëmijë, sulmuan tre zyrtarë policor në rrugën “Bosnja dhe Hercegovina” në mbrëmjen e 5 gushtit.
Zyrtarët e policisë vepruan në bazë të një informacioni se në vendin e caktuar kishte persona të armatosur me pushkë automatike. Ata u përpoqën të identifikonin të dyshuarit, por ata refuzuan dhe sulmuan fizikisht zyrtarët e policisë, duke i goditur me boksa. Zyrtarët e policisë arritën t’i mposhtin dhe t’i ndalojnë.
Prokurori Publik, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, propozoi që të dyshuarve t’u jepen masa paraprake – ndalim për t’u larguar nga vendi i tyre i banimit, përkatësisht nga vendi i tyre i qëndrimit, detyrim për t’u paraqitur periodikisht te një zyrtar i caktuar ose te një organ shtetëror kompetent dhe sekuestrim i përkohshëm i një dokumenti udhëtimi ose dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, përkatësisht ndalim për lëshimin e tij.