Presidentja Siljanovska Davkova sot për vizitë në Bullgari, takimi i parë me homologun e saj Rumen Radev

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot viziton Republikën e Bullgarisë. Në kuadër të vizitës, Presidentja Siljanovska Davkova në Sofje do të takohet me Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev dhe do të ndjekë shfaqjen e Operës dhe Baletit Kombëtar të Maqedonisë, e cila do të interpretojë operën “Nabucco” të Xhuzepe Verdit në Opera dhe Baleti i Sofjes, transmeton Portalb.mk.

“Presidentja Siljanovska Davkova në kuadër të Mbrëmjeve të Operas së 52 Majit mori pjesë në shfaqjen e Operës dhe Baletit të Sofjes në Shkup, duke theksuar rëndësinë dhe fuqinë e diplomacisë kulturore si pjesë e pandashme e veprimtarisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentes

Ndërkohë, presidenti bullgar Rumen Radev gjatë një vizite në një bazë ajrore dhe para takimit të planifikuar me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, tha se  Republika e Bullgarisë ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me Republikën e Maqedonisë së Veriut, “ndaj pres që ky dialog të kontribuojë në afrimin tonë kulturor, por edhe të inkurajojë bashkëpunimin ekonomik dhe turizmin”.

Siç njofton agjencia kombëtare bullgare BTA, Radev pret që Republika e Maqedonisë së Veriut t’i përmbushë të gjitha detyrimet që ka marrë ndaj Republikës së Bullgarisë dhe Bashkimit Evropian, me të cilat, siç tha ai, do të mund të ndërtojmë plotësisht marrëdhëniet tona të përbashkëta.

Sipas presidentit bullgar, qeveria në Maqedoninë e Veriut ende nuk e ka braktisur retorikën e saj parazgjedhore.

“Le të qetësohet situata dhe le të kthehen në realitet. Dhe marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të ndërtohen në bazë të marrëveshjeve dhe konkluzioneve të lidhura të Këshillit të Bashkimit Evropian”, thotë ai.

Radev beson se angazhimi i udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut në lidhje me Korridorin 8 do të jetë një tregues i qartë i ambicieve të vërteta evropiane të vendit, si dhe një lidhje dhe siguri më e madhe në rajon.

“Pres që dëshira e shprehur për dialog dhe mirëkuptim nga presidentja Siljanovska-Davkova të mbetet si politikë konsistente e qeverisë së Maqedonisë. Ne respektojmë me përpikëri protokollin”, thotë ai.

Ai po ashtu theksoi se vizita e tij zyrtare në Shkup është e radhës dhe për realizimin e kësaj çështje ka paralajmëruar se do të bisedojë për takimin me presidenten e Maqedonisë.

Për vizitën e presidentes, kanë shkruar medat bullgare. Agjencia e lajmeve BGNES raporton se vizita e Davkovës është e lavdërueshme, por nuk është e qartë nëse është një shprehje e diplomacisë kulturore siç ka paralajmëruar vetë presidentja apo një përpjekje e autoriteteve në Shkup për të hedhur pluhur në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

Davkova do të shoqërohet nga ministri i Kulturës Zoran Ljutkov dhe ai i Punëve të Jashtme Timço Mucunski. Delegacioni mbërrin në Sofje në një kohë kur presioni ndërkombëtar ndaj Maqedonisë së Veriut po intensifikohet, për shkak të mungesës së reformave, korrupsionit pandemik dhe rritjes së ndikimit malinj nga Serbia dhe Rusia.

“Vendimi i Davkovës për të vizituar Sofjen në fillim të mandatit të saj është i lavdërueshëm nga njëra anë. Nga ana tjetër, nuk është e qartë nëse vizita e Davkovës është shprehje e diplomacisë kulturore, siç pretendon ajo, apo është një përpjekje tjetër e autoriteteve në Shkup për të hedhur pluhur në sytë e partnerëve ndërkombëtarë që duan të përmirësojnë marrëdhëniet me Sofjen dhe hyrja në BE. Faktet thonë se skenari i dytë është më i mundshëm, pasi vizita nuk është zyrtare, por private. Nuk ka asnjë dëshmi se presidentja Davkova është ftuar nga Rumen Radev për vizitë zyrtare. Në vend të kësaj, ajo e ftoi veten në Bullgari me pretendimin se po shikonte një opera. Për BE-në vizita do të prezantohet si shprehje e fqinjësisë së mirë dhe dëshirë për dialog, ndërsa për mediat në Maqedoninë e Veriut Davkova do të prezantohet si mbrojtëse e nderit dhe dinjitetit kombëtar nga “diktati bullgar”, shkruan BGNES. 

Vizita e Davkovës është gjithashtu një përpjekje e zgjuar për të tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga spastrimet brutale politike që po ndodhin në të gjitha nivelet e administratës në Maqedoninë e Veriut. Vizita në Sofje do t’i japë Davkovës një mundësi që të prezantohet si një ndërkombëtariste dhe paqebërëse, në vend që të japë shpjegime për mungesën e ndonjë reforme në sferën e sundimit të ligjit, arsimit dhe luftës kundër korrupsionit pandemik në vend, shton analiza.

Sipas diplomatëve perëndimorë, Maqedonia e Veriut po bie në izolim më të thellë ndërkombëtar. Kjo po ndodh edhe falë veprimeve të presidentes Davkova dhe qeverisë nacionaliste të VMRO-DPMNE-së të udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Vendi ka përkeqësuar ndjeshëm marrëdhëniet me Bullgarinë dhe Greqinë, në kurriz të afrimit gjithnjë e më të dukshëm me Serbinë dhe Rusinë.

Kryeministri Mickoski, duke komentuar vizitën e delegacionit të Maqedonisë në Sofje, të udhëhequr nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, përsëriti se vendi dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe këtu nuk ka dilemë.
“Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore. Motoja jonë është se ne nuk duam pronën e të tjerëve, nuk japim tonat, dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore është vlerë evropiane dhe kështu duhet të vazhdojmë. Kryetari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ishte në një vizitë pune tek unë, në periudhën në vijim po organizojmë një vizitë edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Rama, qoftë në Tiranë apo në Shkup, po organizojmë një vizitë me kryeministrin e Republikës së Serbisë Vuçeviq në Shkup, mendoj se në periudhën në vijim do të ketë vizita të ngjashme me Mitsotakisin dhe kryeministrin e Bullgarisë. Ne u pamë në samitin e NATO-s në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi ynë është të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne kemi qëndrimet tona në raport me interesat tona. Do të luftojmë për interesat tona si shtet dhe kjo është këtu, asgjë nuk duhet të jetë e çuditshme”, tha Mickoski.

Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.