Pretendimet për një universitet, Kasami: Ligji për arsimin e lartë synon rritjen e cilësisë, jo përcaktimin e numrit të tyre
Kryetari i Tetovës dhe një nga drejtuesit e VLEN‑it në Qeveri, Bilall Kasami, deklaroi se projekt‑ligji për arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut, aktualisht në debat publik, ka si qëllim kryesor përmirësimin e cilësisë së arsimit, dhe jo të vendosë se sa universitete duhet të ketë ose si të organizohen ato. Ai theksoi se ligji krijon kornizë ligjore për organizim më të mirë dhe standarde më të larta akademike, duke lënë hapësirë për debat dhe vendime të mëtejshme nga vetë institucionet akademike, transmeton Portalb.mk.
“Ligji është ne debat publik, është ne ueb-faqen e Qeverisë. Sigurisht që ka ide të ndryshime sa i përket asaj se si do të duhet të jetë i organizuar arsimi i lartë që të rritet kualiteti. Patjetër që ka pasur në vazhdimësi debate për atë se si mund të organizohet arsimi i lartë në gjuhën shqipe, që mos të jenë universitetet në gjuhën shqipe në fund të të gjitha listave të renditjes. A do të jetë një, a do të jenë dy, a do të profilizohen apo do të organizohen kështu siç janë, por të rritet kualiteti është çështje e debatit, nuk është çështje që e zgjedh ligji, po është çështje e cila do të duhet të zgjidhet në një bashkëbisedim me të tre universitetet, me profesorë, akademikë, me ekspertë të lëmisë, me të vetmin qëllim që këto universitete të rrisin cilësinë dhe studentët që dalin nga këtu të jenë të përgatitur për sfidat që i presin”, tha Kasami.
Sipas Kasamit, çdo ndryshim apo riorganizim i arsimit të lartë, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në nivel kombëtar, ka si qëllim të vetëm rritjen e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen e studentëve për tregun e punës dhe sfidat e jetës profesionale.
“Ligji mëton që të organizojë më mirë arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut. Pra që të rritet kualiteti, sepse ka vërejtje për të gjitha universitetet. Nuk është ligj që përcakton se a do të ketë një universitet apo më shumë universitete. Çështja e numrit të universiteteve do të zgjidhet në një debat tjetër, që nuk ka të bëjë drejtpërsëdrejti me ligjin. Në këtë rast, universitetet në gjuhën shqipe janë ata të cilët në bashkëpunim edhe me pjesën tjetër të shoqërisë do të vendosin se si do të organizohen: a do të jetë një, a dy, do të mbeten tre, do të jenë të profilizuara. Ideja është që me çdo organizim dhe riorganizim të arsimit të lartë edhe në gjuhën shqipe, por edhe nëpërgjithësi në Maqedoninë e Veriut të rritet kualiteti”, shton Kasami.
Kujtojmë se ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në “Clik Plus” në TV21 kritikoi hapjen e universiteteve në Maqedoninë e Veriut, që sipas saj, janë shumë. Ajo tha se statistikat tregojnë se për një milion banorë, mjafton një universitet i fuqishëm.
“Shihet se për 1.8 milionë banorë, kemi hapur shumë universitete. Disa statistika thonë se mjafton një universitet për 1 milion banorë, por duhet të jetë i fortë, i fuqishëm dhe të japë produkt. Të rikthehem, edhe pse ideja ishte e mirë, realiteti është se ka bërë dëm të madh”, theksoi Janevska.
Ndryshe, disa javë më parë, mediat raportuan se janar ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska ka zhvilluar takime intensive me rektorët e universiteteve publike në vend. Janë ngritur zëra se këto takime bëhen edhe për idenë e shkrirjes së universiteteve private dhe disa prej tyre publike, mirëpo kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga MASH deri më sot.
Projekt‑ligji tashmë është i publikuar në Regjistrin Kombëtar të Rregulloreve (ENER) dhe është i hapur për komente dhe sugjerime nga publik, akademikë dhe ekspertë. Sektori akademik ka shprehur vërejtje për disa aspekte, përfshirë procesin e rizgjedhjes së profesorëve çdo 7 vjet dhe nevojën për kritere më transparente për avancimin akademik dhe menaxhimin e universiteteve.
Profesorët e universiteteve në Maqedoninë e Veriut nuk do ta kenë më të garantuar pozitën deri në daljen në pension sapo të emërohen profesorë të rregullt. Me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë parashikohet obligim i detyrueshëm për rizgjedhje çdo shtatë vjet. Sipas këtij ligji, profesorët që nuk do ta kalojnë procesin e rizgjedhjes do ta humbasin marrëdhënien e punës dhe do të duhet të kërkojnë një vend tjetër, qoftë brenda sistemit universitar apo jashtë tij, përmes procedurave të reja të përcaktuara.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë një takimi me gazetarët, sqaroi se me këtë ligj rikthehet një praktikë që më parë ishte shfuqizuar. Fillimisht do të vendosen kriteret për avancim në tituj akademikë, ndërsa për profesorët e rregullt parashikohet rizgjedhja periodike.
Propozim ligji, i cili pritet të kalojë në filtrat e Kuvendit, konfirmon se autonomia e fakulteteve mbetet e paprekur. Ligji u jep njësive universitare të drejtën të veprojnë si persona juridikë, me llogari të veçanta bankare dhe pavarësi të plotë në menaxhimin e të ardhurave vetanake. Megjithatë, Ligji i ri vendos një filtër ndërkombëtar për avancimet. Për të marrë titujt shkencorë, akademikët do të detyrohen të publikojnë punime në revista me faktor ndikimi.
Çdo punim që nuk kalon recensionin e bordit editorial nga të paktën pesë shtete të ndryshme, nuk do të njihet si vlerë shkencore. Gjithashtu, Propozim ligji parashikon që pagat e stafit akademik dhe administrativ të llogariten sipas një koeficienti të caktuar bazuar në pagën minimale.
Kjo do të thotë se profesioni i profesorit nuk do të varet më nga vullneti politik apo marrëveshjet vjetore, por do të ketë një rritje të vazhdueshme, sa herë që rritet paga minimale në nivel shtetëror, automatikisht do të reflektohet rritja edhe në universitetet publike. Ligji parashikon mbrojtje strikte të hapësirës universitare. Policia nuk do të mund të shkelë në universitet pa lejen e Rektorit, ndërsa çdo lloj organizimi apo simboli partiak brenda mureve të dijes do të ndalohet me ligj.
Në të parashihet edhe Arsimi dual dhe Mikro kualifikimet. Ky model i ri do të lejojë që diploma të mos mbetet vetëm teori në letër, por të jetë e kombinuar me praktikë të detyrueshme në kompani apo institucione, duke rritur shanset për punësim të menjëhershëm. Ky propozim-ligj mbetet i hapur për komente në ENER, ku komuniteti akademik dhe studentët kanë mundësinë e fundit për të korrigjuar apo plotësuar atë që do të jetë kushtetuta e re e dijes në vend.