Viti shkollor filloi por nxënësit e klasave të para në Tetovë nuk i morën 100 eurot e premtuara nga Kasami
Nxënësit e klasave të para në Tetovë nuk i kanë marrë vauçerët prej 100 eurove të premtuara nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, shkruan Portalb.mk.
Këto vauçerë vlejnë për nxënësit të cilët u regjistruan në klasë të parë deri më 20 qershor, ndërsa duhej të shpërndaheshin nga muaji korrik.
Për mosrealizimin e këtij premtimi, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami arsyetohet se pagesat nuk kanë mundur të bëhen për shkak se nuk ka lejuar Ministria e Financave, për shkak të borxheve të komunës, ku të gjitha mjetet që hyjnë në arkën komunale shkojnë menjëherë te përmbaruesit për shlyerjen e borxheve.
“Problemi këtu është me përmbaruesit. Ne kemi dërguar urdhërpagesat për t’i paguar paratë për nxënësit e klasave të para, por fatkeqësisht përmbaruesit, përkatësisht Thesari, nuk i kanë realizuar këto urdhërpagesa për shkak se jemi të bllokuar. Shpresojmë dhe po punojmë që gjatë muajve të ardhshëm të dalim nga bllokada dhe prioritet i parë do të jetë pagesa e urdhërpagesave për nxënësit e klasave të para”, tha Kasami.
Borxhi i Komunës së Tetovës sipas të dhënave gjatë muajit maj ishte 11.9 milionë euro.
Vauçerët për fëmijët që regjistrohen në klasë të parë në vitin shkollor 2026/2027, në vlerë prej 6.150 denarësh, u miratuan me vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës në seancën e 14-të, të mbajtur në fillim të qershorit të këtij viti.
Kujtojmë se ky ishte edhe premtim parazgjedhor i kreut të Tetovës, Bilall Kasamit.