Drejtoria e Policisë Financiare në Prokurorinë Themelore Publike në Strugë ka paraqitur kallëzim penal kundër një personi fizik – pronar dhe drejtues i një subjekti juridik, si dhe kundër vetë subjektit juridik, për shkak të dyshimit të bazuar se është kryer vepra penale “Shmangie tatimore“, nga neni 279 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
I kallëzuari i parë, B.Z., në cilësinë e pronarit dhe drejtuesit të subjektit juridik të kallëzuar si i dyti, me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar për përfitim të kundërligjshëm pasuror për vete dhe për subjektin juridik, e ka kryer veprën penale “Shmangie tatimore“ në atë mënyrë që nuk i ka paraqitur si të ardhura detyrimet e parashkruara dhe të papaguara në vlerë të përgjithshme prej 30.946.170 denarësh, të paraqitura në bilancin bruto për vitin 2025.
Policia Financiare njoftoi se megjithëse, në përputhje me nenin 363 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, këto detyrime parashkruhen brenda një periudhe prej tre vjetësh dhe për to nuk ishin iniciuar procedura gjyqësore për arkëtim, i kallëzuari i parë, edhe pse kishte për detyrë që në bilancin tatimor për vitin 2025 të paraqiste detyrimin tatimor, nuk e ka bërë këtë. Me këtë, ai nuk ka llogaritur, deklaruar dhe paguar tatimin mbi fitimin me normë tatimore prej 10%, në vlerë prej 3.094.617 denarësh.
“Përveç kësaj, i kallëzuari i parë huatë e dhëna personave fizikë, të evidentuara në kontabilitet në vlerë prej 14.254.665 denarësh, të cilat nuk ishin kthyer deri në fund të vitit, nuk i ka evidentuar në bilancin tatimor si shpenzime të papranuara për qëllime tatimore, në emër dhe për llogari të personit juridik të kallëzuar si i dyti. Ai nuk i ka deklaruar dhe për to nuk ka llogaritur dhe paguar tatim mbi fitimin me normë tatimore prej 10%, në vlerë prej 1.425.467 denarësh”, tha Policia Financiare.
Me veprimet e përmendura, të kallëzuarit nuk i kanë llogaritur, deklaruar dhe paguar detyrimet tatimore të përcaktuara me ligj, duke i shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë të përgjithshme prej 4.520.084 denarësh.