Presidenti francez në Siri, vizita e parë e një lideri evropian pas rrëzimit të Assadit
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po zhvillon vizitë zyrtare në Siri më 6 dhe 7 korrik 2026, në atë që konsiderohet një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kjo është vizita e parë e një kreu të një shteti evropian në Siri që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024, si dhe vizita e parë e një presidenti francez në Damask që nga viti 2008, raporton Portalb.mk.
Vizita synon të konfirmojë mbështetjen e Francës për tranzicionin politik në Siri dhe përpjekjet e autoriteteve të reja për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm, demokratik dhe të pajtuar pas më shumë se një dekade konflikti.
Parisi ka qenë ndër vendet e para evropiane që rivendosi kontaktet me autoritetet e reja siriane pas ndryshimit të pushtetit në fund të vitit 2024. Franca ka rihapur praninë e saj diplomatike, ka intensifikuar dialogun politik dhe ka mbështetur procesin e tranzicionit përmes bashkëpunimit diplomatik, humanitar dhe ekonomik.
Gjatë vizitës pritet të diskutohen çështje kyçe si stabiliteti rajonal, lufta kundër terrorizmit, dialogu me komunitetet kurde, marrëdhëniet me Libanin, rimëkëmbja ekonomike e Sirisë dhe nxitja e investimeve të huaja. Franca mbështet ambicien që Siria të rikthehet si një qendër rajonale tregtare dhe energjetike, duke lidhur Evropën me Azinë.
Në aspektin ekonomik, Parisi ka mbështetur heqjen e sanksioneve evropiane ndaj Sirisë dhe ka inkurajuar kompanitë franceze të investojnë në vend. Kompania franceze CMA CGM ishte ndër të parat që nënshkroi një kontratë investimi pas ndryshimit të regjimit.
Një pjesë e rëndësishme e agjendës do t’i kushtohet drejtësisë tranzicionale dhe luftës kundër pandëshkueshmërisë. Franca ka mbështetur prej vitesh dokumentimin e krimeve të luftës, organizatat siriane të të drejtave të njeriut dhe mekanizmat ndërkombëtarë që hetojnë shkeljet e kryera gjatë konfliktit, përfshirë përdorimin e armëve kimike nga regjimi i mëparshëm.
Që nga viti 2012, Franca ka ofruar mbi 500 milionë euro ndihmë humanitare dhe për stabilizimin e Sirisë, duke financuar projekte në shëndetësi, arsim, çminim, mbrojtje sociale dhe mbështetje për shoqërinë civile.
Vizita zhvillohet gjithashtu në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik, pasi Rusia vazhdon të mbajë baza ushtarake strategjike në territorin sirian, pavarësisht ndryshimeve politike që pasuan rrëzimin e regjimit të Bashar al-Assad.
Autoritetet franceze e konsiderojnë këtë vizitë një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit me Sirinë e re dhe në mbështetjen e procesit të rindërtimit, pajtimit kombëtar dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.