Presidenti bullgar Radev i vuri veto ligjit që mundësonte dërgimin e paisjeve të blinduara në Ukrainë

Presidenti bullgar Rumen Radev vuri veton sot për dërgimin e pajisjeve të blinduara bullgare si ndihmë ushtarake nga Bullgaria në Ukrainë, raporton Mediapool.bg. Me veton, presidenti Radev e ktheu ligjin në parlamentin bullgar, kështu që ligjvënësit do të duhet të votojnë sërish për dërgimin e 100 armëve, duke përfshirë transportuesit e blinduar të personelit të destinuara për ushtrinë ukrainase.

Mediapool.bg shkruan se Radev është një nga liderët e paktë evropianë që mban pozicion pro-rus në agresionin ushtarak dhe me të drejtën e vetos ai tani po pezullon ndihmën për Ukrainën.

Pritjet janë që anëtarët e parlamentit bullgar të rivotojnë lehtësisht bazën ligjore për dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë, por vonesa e përgjithshme e procedurës nuk e favorizon Ukrainën dhe do t’i lejojë Radevit të dërgojë përmbajtje të reja propagandistike kundër ndihmës.

Ndryshe nga Rumen Radev, kryeministri bullgar Nikolaj Denkov komentoi se shumica në parlament do të refuzojë veton dhe se mbështetja e Bullgarisë për Ukrainën do të vazhdojë të zbatohet.

Sipas tij, përfaqësuesit e popullit janë mjaft të informuar dhe kanë marrë një vendim të motivuar.

Koalicioni qeverisës “Vazhdojmë me ndryshimin – Bullgaria Demokratike” e cilësoi veton e Radevit si “hipokrizi politike”, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të DPS-së, Deljan Peevski e cilësoi aktin e Radevit si “turp”.

Pas këtij vendimi është edhe më kategorikisht e qartë se sa e rëndësishme është që Bullgaria të ketë shumicë parlamentare euroatlantike dhe një qeveri euroatlantike të mbështetur prej saj, tha Peevski.

Presidenti Radev, nga ana tjetër, jep arsyet e veta për veton që ka vendosur për ndihmën bullgare për Ukrainën.

“Pajisjet e blinduara të transportit të terrenit të lartë që i ofrohen Ukrainës mund të përdoren posaçërisht për të mbrojtur kufirin bullgar dhe për të ofruar ndihmë për popullatën në rast fatkeqësish dhe aksidentesh, duke përfshirë edhe zonat e vështira për t’u arritur,” thekson Radev.

Pajisjet, të cilat janë pjesë e stokut të xhandarmërisë, nuk janë përdorur në 25 vitet e fundit, ndërsa mjetet e blinduara janë prodhuar rreth 50 vjet më parë.

Megjithatë, Radev i kthehet përmbytjeve në qytetet Karlovë dhe Tsarevë dhe beson se makinat mund të përdoren në një situatë të ngjashme në Bullgari.

Përveç kësaj, sipas tij, teknika është “veçanërisht e përshtatshme për përdorim në zonat kufitare malore të larta dhe në kushte të rënda dimërore”.

Ndryshe, vendimin e Rumen Radevit kundër dërgimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën në Kuvendin bullgar e kanë përkrahur edhe deputetët e partive proruse – Partia Socialiste Bullgare dhe Prerodba.