Inteligjenca artificiale – nga fantastika shkencore te realiteti i rregulluar

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Bashkimi Evropian është i pari që aplikon akt legjislativ mbi inteligjencën artificiale. Pas një sërë intervenimesh me “drejtësi të butë”, hulumtime dhe konsultime, në vitin 2021 Komisioni propozoi Rregullativë mbi inteligjencën artificiale për të cilën këtyre ditëve Parlamenti evropian do të miratojë pozicionin e tij. Pastaj vijojnë negociatat me Këshillin e BE-së, para miratimit final të Rregullativës.

Komisioni Evropian në vlerësimin e tij mbi ndikimin e rregullativës parasheh se inteligjenca artificiale (IA) mund të sjellë përparësi të rëndësishme konkurrente për kompanitë, si dhe dukshëm të kontribuojë për të mirën e shoqërisë. Si fusha në të cilat IA supozohet se do kishte sjellë dobi të dukshme theksohet shëndetësia, arsimi, bujqësia, energjia, transporti dhe logjistika, shërbimet publike, siguria dhe ndryshimet klimatike.

Mirëpo, rreziqet nuk janë të vogla. Ato tani identifikohen si mundësi për manipulim me zgjedhjen e njeriut, ose pamundësim të tërësishëm të kontrollit nga ana e njeriut. Kjo sigurisht se mund të ketë pasoja negative për mbrojtjen e të drejtave themelore, e madje edhe për sigurinë e njeriut.

Kështu, BE-ja vendos që ta rregulloj këtë çështje, me qëllim që të arrihet siguri e produkteve të IA-së; të pamundësohet shkelja e të drejtave themelore; të sigurohet siguri juridike, e me këtë edhe kushte për investim dhe inovacione; si dhe të sigurohet funksionimi i tregut të vetëm.

Deri tani nuk ekziston ende një definicion zyrtar i inteligjencës artificiale (IA). Definicioni i propozuar në Rregullativë kryesisht bazohet te ai i deritanishmi i dhënë nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim (OECD) e cila e quan “softuer i zhvilluar me qasje dhe teknika (specifike) (të shënuara në shtojcë të rregullativës), dhe mundet, për një set të dhënë qëllimesh njerëzore të definuara, të gjenerojë rezultate siç janë përmbajtjet, parashikimet, rekomandimet ose vendimet që ndikojnë mbi mjediset me të cilët ato komunikojnë”. Komisioni do të mundet që me një akt të veçantë, ta plotësojë listën e “teknikave dhe qasjeve”.

Rregullativa i përfshin çështjet horizontale të IA-së, por jo edhe çështjen e përgjegjësisë – ajo duhet të zgjidhet në mënyrë plotësuese, me akt tjetër.

Qasja e rregullimit është e bazuar te rreziku, kështu në akt dallohen 4 nivele të rrezikut, për të cilët parashihen regjime të ndryshme:

  • I papranueshëm – praktikat e IA-së janë të ndaluara
  • Rrezik i lartë – sisteme të rregulluara të IA-së
  • Rrezik i kufizuar – transparencë;
  • Rrezik i ultë – pa obligime.

Në grupin e parë të praktikave të ndaluara bëjnë pjesë teknikat manipuluese, sistemet që eksploatojnë grupe të veçanta vulnerabile; të gjithë sistemet e autoriteteve publike që përdoren për rangim social, si dhe përdorime të caktuara të sistemeve për identifikim biometrik.

Grupi i rrezikut të lartë përfshin: IA si komponent sigurie i produkteve; identifikimin dhe kategorizimin biometrik; menaxhimin dhe funksionimin e infrastrukturës kritike; arsimin dhe trajnimin; punësimin; qasjen deri te shërbimet thelbësore private dhe deri te shërbimet publike dhe ndihma; zbatimin e ligjit; azilin; migracionin dhe kontrollin e kufijve; implementimin e drejtësisë dhe proceseve demokratike. Përveç këtyre, si shtojcë janë shënuar tetë fusha të veçanta, të cilat do të mund t’i azhurnojë Komisioni, në një dispozitë të deleguar. Kërkesat rregullatore për këtë grup janë komplekse. Kërkohet vlerësim paraprak (ex ante) i pajtueshmërisë, si dhe regjistrim në bazën e vetme të BE-së të dedikuar për këtë. Kërkesat e tjera kanë të bëjnë me menaxhimin e rrezikut, testimin, robusitetin teknik, trajnimin për të dhëna dhe menaxhimin me të dhënat, transparencën, mbikëqyrjen njerëzore dhe sigurinë kibernetike.

Do të aplikohet te të gjithë dhënësit e shërbimeve – importuesit, distributorët, konsumatorët ose palë të treta – të gjithë ato që lëshojnë në qarkullim sistem të IA-së në tregun e vetëm, e ndryshojnë dukshëm ose ia ndryshojnë dedikimin. Dhënësit e themeluar jashtë BE-së do të detyrohen të caktojnë një përfaqësues të autorizuar në BE. Që të evitohet anashkalimi i dispozitës, e njëjta aplikohet edhe për dhënësit dhe konsumatorët e sistemeve të IA-së të vendosur në vende të treta, nëse rezultatet e tyre përdoren në BE. Nga ana tjetër, mbikëqyrja e implementimit, kryesisht bie mbi autoritetet kombëtare (trupat për mbikëqyrje të tregut), edhepse parashihet edhe formimi i Bordit Evropian për IA – kryesisht me funksion këshillues dhe ndihmës të KE-së.

Rregullativa e normon themelimin e të ashtuquajturave kuti rëre rregullatore (sandboxes), si mjedis i kontrolluar që do të mundësojë inovacion dhe eksperimente nën mbikëqyrjen e rregullatorit.

Paralelisht formohet edhe korniza më e gjerë ndërkombëtare për inteligjencën artificiale. Këshilli i Evropës punon në krijimin e një konvente mbi inteligjencën artificiale, OECD ka miratuar rekomandim të Këshillit për inteligjencën artificiale, ndërsa UNESCO – Rekomandime për etikën e IA-së.

Nëse merret parasysh vëmendja që IA e shkakton te ne dhe globaliteti i shërbimeve digjitale, duket se detyrimet për rregullim dhe implementim efikas nuk do të na anashkalojnë.