Premtimet e Merkos për fshatin më të madh në rajonin e Strugës, Llabunishtë ende të parealizuara

Gjatë fushatës zgjedhore për të parin e Komunës së Strugës në vitin 2021, Ramis Merko bëri një sërë premtimesh për elektoratin e Llabunishtit, fshati më i madh në rajonin e Strugës. Edhe pas dy vitesh nga marrja e mandatit të ri në Komunën e Strugës, premtimet e bëra për Llabunishtën mbeten ende të parealizuara nga ana e pushtetit lokal. Banorët e revoltuar shprehen se pushteti lokal i kujton vetëm kur ka nevojë për vota, shkruan Portalb.mk

Screenshot nga Programi Zgjedhor Axhenda e Blertë për Strugën
Screenshot nga Programi Zgjedhor Agjenda e Blertë për Strugën

Llabunishta është fshati më i madh në Komunën e Strugës dhe elektorati i këtij fshati ka një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e udhëheqësisë së pushtetit lokal. Gjatë zgjedhjeve lokale në vitin 2021 kryetari aktual i Komunës së Strugës bëri disa premtime për Llabunishtarët, në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë” (faqe 63) është premtuar se gjatë këtij mandati në këtë fshat do të ndërtohet rrjet i kanalizimit, do të ndërtohen e zgjerohen rrugët dytësore brenda fshatit, do të ndërtohen kënde lojërash për fëmijë, do të zhvillohet turizmi malor, do të hapet çerdhe, do të rikonstruohet qendra e fshatit me parkingje dhe trotuar, do të ndërtohet rruga për në Borovec.

Me pyetjen: “Deri ku është realizimi i premtimit për zhvillimin e turizimit malor, hapjen e çerdheve, krijimin e këndeve të lojërave për fëmijë dhe ndërtimi i rrugës për në Borovec. Të gjitha këto premtime të bëra për elektoratin e fshatit Llabunisht!”, u drejtuam në adresën e Komunës së Strugës, megjithatë edhe pse kërkesa jonë është dërguar para disa javësh deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje për kërkesën tonë.

Portalb.mk vizitoi fshatin Llabunisht dhe bashkëbisedoi me disa banorë vendas për të sjellë një pasqyrë më të qartë se çfarë është bërë këtu gjatë këtij mandati. Banorët e revoltuar u shprehen se gjatë kësaj periudhe, por edhe më herët nuk është bërë asgjë për fshatin e tyre.

Kanalizimi i fshatit është ndërtuar para shumë vitesh dhe ka nevojë urgjente të rikonstruohet, megjithatë banorët thonë se deri më sot pushteti lokal vetëm i ka vizituar kur ju duhen votat. Kanalizim i ri në këtë fshat nuk është ndërtuar në këtë fshat, ndërsa aktualisht as nuk vërehet ndonjë hap konkret për punime dhe ndërtim të rrjetit të kanalizimit.

“Rrjeti i kanalizimit këtu në Llabunisht është prej kohës kur kryetar i fshatit ishte i ndjeri Jakup Qazimi nga radhët e partisë së asaj kohe PPD, që atëherë ne si banorë nuk dimë ndonjë kryetar tjetër të bashkësisë lokale apo pushtetit lokal të ketë bërë diçka në këtë drejtim”, u shpreh një banor nga Llabunishta.

Duke pasur parasysh infrastrukturën malore dhe urbane të fshatit Llabunishtë banorëve ju duket qesharak premtimi për zgjerimin dhe ndërtimin e rrugëve brenda fshatit. Llabunishta është fshat shumë i popullarizuar dhe i ndërtuar me shtëpi të ngjitura njëra me tjetrën, lokacioni malor i fshatit e e komplikon edhe më shumë infrastrukturën e fshatit. Ky fshat i Strugës njihet për rrugët tepër të ngushta, pjerrëta dhe gjithmonë me lëvizje.

“Sinqerisht nuk e di se çfarë kanë menduar kur e kanë shkruar këtë premtim. Nuk ka asnjë mundësi logjike apo teknike të të zgjerohet rrugët brenda fshatit. Vetëm nëse vendosin ti prishin shtëpitë dhe ti bëjnë rrugë, ndryshe është e pamundur. “, deklaroi një tjetër banor.

Nga viti 2021 deri më sot në Llabunisht nuk është ndërtuar as edhe një kënd lojërash nga pushteti lokal. Banorët thonë se para do kohësh është ndërtuar një kënd lojërash por që nuk ka të bëjë me Komunën, këndi i lojërave është ndërtuar nga shoqatat joqeveritare me një grant të huaj. Nevojë e madhe për Llabunishtin është hapja e një çerdheje për fëmijë. Shkolla e fshatit Llabunishtë është e vetmja shkollë rurale në Komunën e Strugës që ka mbi 1000 nxënës Në Shkollën fillore të këtij fshati, nga klasa e parë në të nëntën mësojnë 1026 nxënës, numër ky dukshëm i reduktuar nga një vit më parë kur shkolla numëronte plot 1110 nxënës.

“Për fat të keq në Labunisht edhe pse fshati më i madh për nga numri në rajonin e Strugës e më gjerë nuk ka çerdhe. Vendi ka nevojë të madhe për një gjë të tillë, duke e ditur rëndësinë e çerdhes si hap shumë i rëndësishëm për përgatitjen e fëmijëve për në shkollë, në veçanti ka nevojë vendi në ditët e sodit pasi shumica e prindërve janë të punësuar, si babai po ashtu edhe nëna”, deklaroi një banore e Llabunishtës.

Nevojën e madhe për një çerdhe në këtë fshat, vite më parë e dëshmoi dhe pilot projekti i UNDP-së. Në kuadër të këtij projekti u hapën klasa në formë të çerdheve parashkollore në shkollat fillore të disa fshatrave në Strugë, përfshirë Llabunishtën. Në këto klasa, në shkollën e fshatit Llabunisht, ishin të rregullt 50 nxënës parashkollor. Pas përfundimit të pilot-projektit të UNDP-së, Komuna e Strugës në krye me Ramis Merkon në mandatin 2017-2021 u zotua se do e vazhdojë edukimin parashkollorë në Llabunisht me vetë-iniciativë dhe me financim nga buxheti i komunës.

Shkolla Fillore Komunale Murat Labunishti - Burimi i fotografisë Faqja zyrtare e shkollës në FB
Shkolla Fillore Komunale Murat Labunishti – Burimi i fotografisë Faqja zyrtare e shkollës në FB

 

“Më përpara janë mbajtur si lloj kursi, për parapërgatitjen e fëmijëve që duhej të regjistroheshin vitit në vijim për në klasë të parë e që do të ndiqnin mësim në gjuhën shqipe. Nuk e di nëse ishte iniciativë e prindërve apo dikujt tjetër por e di që pas përfundimit të atij projektit për çerdhe, kurset i financonin vet prindërit kurse para dy viteve Komuna na tha që nuk guxojnë të paguajnë prindërit dhe e morën përsipër ata. Erdhën na vizituan 5 persona nga Komuna e u mburrën para prindërve se Komuna e merr përsipër pagesën e arsimtarëve. Për fat të keq mësuesit në këto klasa nuk u paguan nga Komuna por neve kjo nuk është se na pengoi që ti mbajmë atë vit deri në fund kurset, mirëpo pas kësaj më nuk u vazhdua sepse normal ishte harxhim edhe për ne si mësues, pasi nxirrnim vet nga xhepi për materiale për nxënësit plus e pastronim vendin i cili ishte ne një gjendje katastrofale”, deklaroi një mësuese nga Llabunishta.

Asnjë hap konkret nuk është bërë as për zhvillimin e turizmit malor në Llabunisht. Fshati Llabunisht ndodhet në 865 metra lartësi mbidetare, në pjesën lindore të malit Jabllanica. Pjesa malore e fshatit njihet për majën Strizhak që vizitohet nga bjeshkatar vendas e të huaj e sidomos për bukurinë dy liqeneve malore. Në pjesën malore me potencial tejet të madh zhvillimi nuk ka asnjë objekt gastronomik, hotelerik, etj.

“E vërteta është se nga ana e shtetit apo komunës apsolutisht nuk është bërë asgjë në malin tonë. Shumë vite më parë u asfaltua rruga nga fshati deri tek stanet nga ku zakonisht adhuruesit e natyrës ecin deri në majën e njohur si Strizhak ose i vizitojnë liqenet malore të Llabunishtit. Potencial natyror për zhvillimin e turizmit malor ka shumë megjithatë interes institucional nuk ka. Ne si shoqatë mundohemi të bëjmë diçka me projektet e vogla që fitojmë”, deklaroi Alim Saloski, kryetari i Shoqatës “Natyra Lab”-Llabunishtë.

Banorët deklaruan për Portalb.mk se deri më sot nuk është ndërtuar rruga e premtuar që lidhet me fshatin Borovec, nuk është ri-ndërtuar as qendra e fshatit, gjatë kësaj periudhe në qendrën e fshatit as janë ndërtuar troutuarë apo parkingje të reja.

Duke u bazuar në situatën në terren dhe në bashkëbisedimin me banorët e Llabunishtës, Portalb.mk konkludon se premtimet elektorale të bëra në programin Agjenda e Blertë për fshatin Llabunisht deri më tani nuk janë realizuar.

BURIMET: