“Ditët e ëmbla të Tetovës” vazhdojnë edhe sot  në sheshin “Iliria”

Edhe pse është kjo një moto romantike, nuk ka të bëjë me asgjë dashurore, përveç nëse jeni një i adhurues i flaktë i mjaltit. Sivjet për të pestën herë me radhë u organizua panairi i mjaltit në të cilin u prezantuan mjalti dhe produktet e tij. Organizatorë janë Shoqata e Bletarëve “Qyteti i bletëve” dhe “Mjalti i Pollogut” nga Tetova. Për më tepër kontaktuam kryetarin e Shoqatës së Bletarëve Driton Dikenën, i cili për Portalb.mk dha më tepër detaje.

Produkte nga mjalti
Produkte nga mjalti, foto nga Portalb.mk

Festivali mbahet dy ditë, ka filluar dje më datë 15 shtator dhe do të zgjasë deri më sot më datë 16 shtator.

Pra, edhe sot keni mundësi të degustoni dhe të njiheni me llojet e mjaltit që prodhojnë bletarët tanë. Bletarë të shumtë janë vendosur në sheshin ‘Iliria’ ku do të jenë aty të stacionuar deri në mbrëmje kur edhe do të mbyllet ky aktivitet. Kryetari i “Qytetit të bletëve”, Driton Dikena  për Portalb.mk thotë:

Produkte nga mjalti
Driton Dikena, foto nga Portalb.mk

‘’Festivali i mjaltit “Ditët e ëmbla të Tetovës”  është projektuar për të promovuar kapacitetin që ka Pollogu për produktet mjaltit, traditën, risitë dhe inovacionin në fushën e prodhimit e përpunimit të mjaltit dhe nus produktet e tij, ndërsa vizitorë presim një numër të madh qytetarëve dashamirë të mjaltit. Jetojmë në një periudhë, në të cilën sektori i bletarisë më shumë se kurrë më parë tërhiqet nga dy prirje në dukje në kah të kundërt. Nga njëra anë teknologjizimi e industrializimi, në kërkim të rritjes së prodhimit por, pa kualitet dhe nga ana tjetër tërheqja e fuqishme drejt produkteve natyrale e tradicionale të prodhimit të mjaltit që është karakteristikë e bletërritësve të Pollogut. Dhe ky fushëveprim është motoja jonë, të promovojmë dhe të nxjerrin në sipërfaqe mjaltin natyral’’, përfundon Dikena.

Produkte nga mjalti

Bletaria është sektor i rëndësishëm dhe veprimtari me interes jetësor, sidomos për ata që nuk munden ta fillojnë ditën pa të. Bletaria ndryshe njihet edhe si “mbretëresha e profesioneve” dhe zanat i vjetër, në disa raste i trashëguar dhe në disa të tjera i nxitur nga pasioni për këtë zeje.

Mjalti, propolisi apo qumështi i bletës janë disa prej produkteve kryesore që përftohen nga bletët. Por në këtë festival ka dhe produkte tjera me bazë mjaltin të cilat ia vlen të vizitohen dhe të jemi në rrjedha të prodhimtrisë së bletarëve tanë.