Kodra e Diellit ende pret investimin italian që u promovua në mënyrë pompoze
Ndonëse sezoni i dimrit dhe i skijimit po afrohet, qendra turistike Kodra e Diellit ende po pret investuesin italian, kompaninë “TechnoAlpin” me të cilin Qeveria ende nuk ka nënshkruar marrëveshje. Nga Qeveria për Portalb.mk. thanë se negociatat po vijojnë me kompaninë italiane, por pa dhënë detaje.
Pavarësisht se së shpejti do të bëhen një vit nga prezantimi i planit për investimin e kompanisë italiane “TechnoAlpin” në Kodrën e Diellit, kontrata me të nuk është nënshkruar ende.
Institucionet nuk japin detaje për këtë projekt, shkurt njoftuan se negociatat vijojnë.
“Negociatat për investimin në Kodrën e Diellit vijojnë, ndërsa është duke u përgatitur draft-teksti i Marrëveshjes në përputhje me Ligjin për Investime Strategjike”, thanë nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së RMV-së.
Ngjashëm na njoftuan edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH).
Detaje nuk japin as nga kompania italiane.
“Për momentin nuk jemi në gjendje të japim asnjë informacion për këtë çështje, pasi jemi ende në mes të negociatave”, deklaruan për Portalb.mk, nga TechnoAlpin njejtë sikur në muajin korrik.
Portalb.mk kërkoi detaje shtesë nga Qeveria, por deri në publikimin e këtij teksti përgjigje nuk kemi marrë.
Paraprakisht nga MMJPH bënë të ditur se nënshkrimi me kompaninë e interesuar italiane “TechnoAlpin” do të bëhet pasi të specifikohen të gjitha detajet dhe pasi ndryshimet e Ligjit për Investime Strategjike të miratohen nga Kuvendi.
Investimin në qendrën e skijimit, para se gjithash, siç kanë njoftuar nga Ministria e Mjedisit është i kushtëzuar me vënien në funksion të gondolës/teleferikut nga Tetova në Kodrën e Diellit, projekt i cili gjatë kohë kërkohet nga qytetarët por që nuk realizohet nga shteti.
TechnoAlpin” në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.
Kohë më parë, u formua kompania e re e cila do të menaxhojë me Kodrën e Diellit me emër “Kodra e Diellit”.
Kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.
- LEXO: Kodra e Diellit, “peng” i ndryshimit të ministrave, investitori i interesuar në pritje të sinjaleve nga vendi
- LEXO: Nuredini ia la Shukovës “amanet” investimin në “Kodrën e Diellit”
- LEXO: MMJPH: Investimi në Kodrën e Diellit është i kushtëzuar me vënien në funksion të teleferikut nga Tetova
- LEXO: Kompania italiane “TechnoAlpin” prezantoi planin për investimin e saj në Kodrën e Diellit, parashihen shtatë faza