Portretuesi i atdheut të mbytur në mjerim

Në dallim nga Rilindësit që krijuan mitin mbi Shqipërinë zonjë të rëndë e të lulëzuar, Migjeni portretoi atdheun e mbytur në mjerim, malësorin që bëhet frikacak para prefekturës ku ndahet misri për skamnorë, malësoren që prostituon për bukën e fëmijëve, shtatzënën e mjerueme që e di se edhe fryti i saj ka me u rrit në mjerim, lypsarin që lyp bukë në vend se të protestojë e të kërkojë punë, studentin oportunist që s’guxon të ballafaqohet me fanatizmin e babait, plakun e shejtnuem që vret ardhmërinë…

Migjeni qe antikonformist dhe shkroi ndryshe nga krijuesit tjerë. Ai portretoi anën e errët të shoqërisë shqiptare – mjerimin, vuajtjen, shpirtin e robit, moralin e rremë, fatalizmin, degjenerimin dhe frikën e përhershme të heronjve të tij.

Migjeni qe kundërshtar i rrezikshëm i idhujve pa krena dhe regjimeve despotike të mbështetura në aleancën e parisë me klerin – binomin të cilit njerëzimi ia pa sherrin, të paktën që nga periudha e mesjetës. Ideali i tij qe rrënimi i botës së vjetër dhe dalja e një njeriu që do ta mkamb Kohën e Re! Ai s’deshi që, për hir të kalbsinave të vjetra që kërkojnë “shejtnim”, të përsëritet vajtimi i këngës monotone, pa shpirt, të skllavnis…

Vepra e Migjenit gëlon nga fragmentet që duken si të shkruara enkas për të sfiduar diktaturat e të gjitha kohërave. Në to gjejmë revolucionin kulturor kinez, zhdanovizmin rus, realizmin socialist, mediet e oligarkëve, opinionistët e shitur, rapsodët e elozheve dhe gjithë shpikjet e parisë matrapaze që mjegullojnë të vërtetën e jetës mizerje të masave popullore.

Migjeni qe ideator i artit kryengritës, poeti më rebel që ka pasur ndonjëherë letërsia shqipe. Vepra e tij nuk u pranua lehtë nga lexuesit e adaptuar me letërsinë romantike. Për shkaqe të njohura, ajo portretoi jo atdheun e ëndrrave rilindëse, po atdheun real, në një kohë kur qenë zverdhur hiperbolat dhe kur shqiptarët kishin nevojë ta njohin veten ashtu siç ishin, kishin nevojë t’i shërojnë dregëzat që rrezikonin të përskeqen në gangrenë kombëtare.

Thelbin e veprës migjeniane e përbëjnë antagonizmat e mprehta shoqërore dhe mjerimi si produkt i tyre. Vargjet trishtuese e skanojnë palcën e jetës shqiptare – hipokrizinë politike e fetare, pushtetin e korruptuar dhe gjithë tragjeditë e kohë-hapësirës së poetit.

Në raport me heronjtë e romantizmit, heronjtë e Migjenit duken të tjetërbotshëm. Ata nuk janë titanë betejash të ashpra atdhetare, po viktima vuajtjesh të pafundme nga pasojat e jetës së zbritur në mjerim të përgjithshëm, ku rrisin shtatin veset animale, që nga amoraliteti, gjer te bjerrja e besës dhe burrnisë.

Vepra e tij shkund themelet e kalave të tiranëve dhe aristokratëve feudalë, shemb mitin e prijësve qorra, që majmen si derrat e kënaqur në kurriz të Sokratëve të përvuajtur që vdesin urie.
Ai është i pari krijues yni që fenomeneve jetësore ua veshi kostumet e vërteta; i pari që, për heronjtë e pastrehë dhe të pabukë, nuk kërkoi mëshirë, po drejtësi. Kjo është kryeshenja që e dallon prej krijuesve konformistë që të ligat i marrin si kësmet hyjnor dhe i hapin udhë trashjes së ndjesive fataliste.

Thënë shkurt: shkrimet e Migjenit e demokratizuan letërsinë shqipe, e çliruan atë nga iluzioni i lavdisë së rrejshme. Për mua, ato janë copëza ajsbergësh me shumë kate nënujore, që do të përmbushen me kuptime të reja edhe nga lexuesit e brezave që vijnë pas nesh. Letërsisë sonë i duhej një zë i gjithmonshëm dhe ajo është me fat që ka një Migjen, që na flet edhe nga përtejvarri, sa herë na zë gjumi mesditave.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.