Policia, zjarrfikësit dhe Qendra për Menaxhimin me Krizat në deponinë që shkaktoi ndotje të ajrit në Pollog

Drejtoria për Menaxhim me Krizat së bashku me zjarrëfikësit e rajonit të Tetovës, së bashku kanë qenë në deponinë e cila po shkakton ndotjen e ajrit në rajonin e Pollogut, transmeton Portalb.mk.

“Inspektorët nga Inspektorati Shtetëror kanë kryer kontroll në deponinë e djegur në Çegran, Pollog. Në rrjedhë janë kontrollet nga ana e ekipit të MPB-së”, njoftojnë nga DMK-ja.

Në vendin e ngjarjes ishte edhe drejtori i DMK-së, Stojançe Angellov, i shoqëruar nga komandanti i zjarrfikësve për Tetovë, Avni Ahmeti.

Ndryshe, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka reaguar në lidhje me sulmet ndaj gazetarëve që po kryenin punën e tyre në lidhje me problematikën e zjarrit në Bërvenicë, si një burim ndotës i qytetit të Tetovës.

“Gjatë ditës së sotme, ekipe televizive të disa mediave dhe korrespondentë nga rajoni i Pollogut tentuan të regjistrojnë sërish video nga vendi i ngjarjes, por sërish i njëjti person me një ton agresiv dhe të ashpër iu drejtua gazetarëve, madje edhe i kërcënoi fizikisht pavarësisht pranisë së policisë”, sqarojnë nga SHGM-ja, duke kërkuar reagim nga Komuna e Bërvenicës dhe Policia.