Digjet deponia në Bërvenicë, Tetova e mbuluar në tym, Komuna: Mos dilni jashtë pa nevojë

Tetova sot që në orët e para të mëngjesit u mbulua nën tym, kjo për shkak se në Komunën e Bërvenicës u dogj një deponi, transmeton Portalb.mk.

Të dhënat e aplikacionit për ndotjen e ajrit – AirCare tregojnë se ajri momentalisht është i ndotur dhe me cilësi të keqe.

Qytetarët në rrjetet sociale filluan të ankohen për këtë ndotje.

Ndërkaq nga Komuna e Tetovës apeluan që të shmangen daljet jashtë.

“Për shkak të ndotjes, shmangeni daljet ne hapësira publike dhe qëndroni brenda. Apelojmë deri te qytetarët të jenë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm. Të mos hedhin mbeturina në vende jo adekuate dhe të mos i ndezin”, thane nga Komuna e Tetovës.

Komandanti i zjarrfikësve të Tetovës – Avni Ameti njoftoi se po punohet në shuarjen e zjarrit.

Përndryshe për një zjarr tjetër në Pollog ka reaguar edhe organizata ekologjike – Eco Guerila.

“Terror! gjithë Pollogu në tym, digjen deponitë ilegale afër fshatit Negotinë. Asnjë institucion nuk reagon, popullata po helmohet nga tymi kancerogjen! Policia, Komuna, Ministria e Ambientit…”, thanë nga Eco Guerila.

Digjet deponi afër fshatit Negotinë. Foto: Eco Guerila
Digjet deponi afër fshatit Negotinë. Foto: Eco Guerila