Policia thotë se protestat në veri të Kosovës po vazhdojnë

Policia e Kosovës tha se ruan rendin, teksa grupe të serbëve po protestojnë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, transmeton REL.

Sipas Policisë së Kosovës, protestuesit në Zveçan kanë tentuar të hyjnë “me dhunë në objektin” e kësaj komune.

“Para objektit të komunës së Zveçanit, protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, u tha në njoftimin e Policisë.

Policia ftoi serbët që të protestojnë në mënyrë të qetë “dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme”.

Më 29 maj, serbët janë mbledhur në komunat në veri për të kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve të rinj shqiptarë. Ata edhe më 26 maj, kishin tentuar që të parandalonin hyrjen e kryetarëve në zyrat e tyre, por ishin përleshur me policinë, e cila kishte përdorur shok-bomba dhe gaz lotsjellës.

Të hënën në veriun e Kosovës është parë shtim i pranisë së misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat i ka cilësuar “të dhunshme” dhe i ka bërë thirrje autoriteteve që të shmangin hapa “të njëanshëm dhe destabilizues”.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën më 23 prill të këtij viti, pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.