RMV, mbi 400 milionë euro kontrata të prokurimit publik janë lidhur në procedura ku ka pasur vetëm një ofertë

Çdo e treta kontratë për prokurim publik në vitin 2022 është lidhur në një procedurë në të cilën ka marrë pjesë vetëm një kompani. Bëhet fjalë për 9.305 kontrata, me vlerë të përgjithshme prej 26 miliardë denarë (427 milionë euro), thuhet në raportin e ri të monitorimit të prokurimit publik të publikuar nga Qendra për komunikime civil (QKC), transmeton Portalb.mk.

Raporti tregon se afatet për fillimin e procedurave tenderuese të përcaktuara në planet për prokurim publik pothuajse nuk janë respektuar fare. Rreth 90% e procedurave të monitoruara janë kryer me vonesë, nga 1 deri në 8 muaj, çka sipas QKC-së vë në pikëpyetje efikasitetin e funksionimit të institucioneve, por edhe rolin që duhet të kenë planet e prokurimit publik në drejtim të nxitjes së konkurrencës.

Numri mesatar i ofertave për tender vitin e kaluar ishte 3, që paraqet një rënie të konkurrencës në krahasim me vitin 2021.

Raporti tregon gjithashtu se përmes procedurës jotransparente me negociata pa shpallje të thirrjes janë lidhur kontrata në vlerë prej 31 milionë euro, që është një rënie prej 30% në krahasim me vitin 2021, ndërsa është ulur me 34% edhe numri i ankesave nga kompanitë në Komisionin Shtetëror për ankesat.

QKC paralajmëron edhe përqindjen jashtëzakonisht të lartë të procedurave të anuluara, gjë që sipas tyre vë në dyshim objektivitetin dhe ligjshmërinë e marrjes së këtyre vendimeve anuluese. Në vitin 2022, pothuajse një e treta e tenderëve u anuluan.

Në hulumtim është bërë një anketë mes kompanive për përvojën e tyre. Kompanitë vlerësuan procesin e prokurimit publik në vend me notën mesatare 2.8 (në shkallën 1 deri në 5), që është e njëjtë me vitin e kaluar.

Sipas përgjigjeve të marra, problemi më i shpeshtë me të cilin janë përballur në prokurimin publik është “çmimi më i ulët” si kriter përzgjedhjeje, për të cilën janë ankuar edhe 63% e kompanive të anketuara. Gjithashtu, 93% e kompanive besojnë se në ankandet elektronike arrihen çmime joreale dhe neglizhohet cilësia, dhe 54% pranojnë se ka marrëveshje të ndërsjellë për tenderat.

Pothuajse gjysma e kompanive besojnë se ka korrupsion në prokurimet publike. 18% janë përballur personalisht me korrupsion në tenderë, ndërsa 64% e kompanive të anketuara besojnë se lidhjet janë forma më e zakonshme e korrupsionit.