Policia e RMV-së e arrestoi në momentin që po merrte naftë nga vetura zyrtare
Në momentin që ishte duke vjedhur naftë nga vetura zyrtare, Policia e Maqedonisë së Veriut e ka arrestuar 57 vjeçarin e punësuar në një ndërmarrje komunale në Çashkë, transmeton Portalb.mk.
“Në një deponi në zonën e fshatit Rakovec, ai ishte gjetur nga nëpunësit policorë se si nga rezervuari i automjetit zyrtar të Ndërmarrjes Publike për Veprimtari Komunale “Topollka” nga komuna e Çashkës, ku është i punësuar si shofer, ka derdhur naftë në një enë plastike. Në vendngjarje iu morën dy tuba plastike me gjashtë dhe 10 litra përplot naftë dhe një zorrë”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut, duke paralajmëruar kallëzim penal.
I arrestuari është 57 vjeçari D.Gj. nga Çashka. Në shtëpinë e tij është kryer bastisje ku janë gjetur edhe disa fishekë.