RMV, gjatë natës së fundvitit janë regjistruar 20 prishje të rendit, 8 aksidente

Në territorin e gjithë shtetit nata e Vitit të Ri ka kaluar krysisht qetë. Gjendja e sigurisë në territorin e gjithë shtetit gjatë natës së Vitit të Ri ishte stabile, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski pas vizitës në stacionin policor “Gjorçe Petrov”, njofton Portalb.

“Ka pasur vetëm prishje të rendit dhe qetësisë publike ose gjithsej 12 vepra penale në territorin e gjithë shtetit, më së shpeshti tregtie palejuar me drugë dhe një rrezikim të sigurisë. Kemi regjistruar kundërvajtje të Ligjit për rend dhe qetësi publike, gjithsej 20 në të gjithë sektorët për punë të brendshme. Kemi regjistruar dy kundërvajtje sipas Ligjit për siguri në komunikacion nëpër rrugë, ka pasur gjithsej tetë aksidente trafiku me dëme materiale në territorin e shtetit”, deklaroi Spasovski.

Kjo, siç potencoi, është numër më i vogël i aksidenteve të këtilla në trafik të cilat kanë ndodhur deri tani.

Në Qendrën urgjente në Shkupt nga 103 kontrollet e realizuara, tre kanë qenë nga aksidente trafiku. Mjeku Eren Sejfulla, ortoped nga Qendra urgjente tha se një pacient është pranuar në Klinikën për kirurgji digjestive për trajtim të mëtejshëm dhe është në gjendje stabile.

“Ka pasur edhe tre sulme fizike prej të cilëve njëri pacient, 20-vjeçar, është pranuar në Klinikën për kirurgji torakale dhe vaskulare. Bëhet fjalë për plagë me thikë, pacienti është pranuar për mjekim të mëtejshëm dhe është në gjendje stabile. Të gjithë rastet e tjera kanë qenë me lëndime të lehta dhe janë lëshuar për mjekim shtëpiak”, tha Sejfulla.