Poetë nga e gjithë bota në Tetovë për “Ditët e Naimit”, Emërllahu: Ftojmë publikun t’i ndjekë dhe duartrokasë
Ediconi i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të fillojë të enjten (19 tetor) dhe do të zgjas deri më 21 tetor. Pierfranko Bruni, është fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” për këtë vit. Ndërkaq drejtoria e Festivalit fton qytetarët që të ndjekin aktivitetet e festivalit, pasi sipas tyre nuk duhen humbur, raporton Portalb.mk.
Programi është realizuar njëjtë si vitet e kaluara, “asgjë nuk do të mungojë, gjithçka do të zhvillohet normalisht. Poetët kanë konfirmuar ardhjen, janë diku njëzet poetë nga shumë vende të botës, kemi ftuar edhe poetë shqiptarë nga rajoni”, thonë nga drejtoria e Festivalit.
Sipas programit më 19 tetor në orën 19:30 para Qendrës së Kulturës do të bëhet ceremonia e hapjes së festivalit. Në sallën e madhe do të mbahet ora letrare ku poetë të shumtë do të lexojnë krijimet e tyre. Ndërsa laureatit, Pierfranko Brunit do t’i dorëzohet çmimi Naim Frashëri.
Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu theksoi se edhe përkundër vështirësive të shumta që janë ndeshur për shkak të mungesës së fondeve qoftë nga Ministria e Kulturës, qoftë nga Komuna e Tetovës arritën ta realizojnë edicionin e 27-të të Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Naimit”. Siç thotë ai, të ruhet tradita që përmes artit të fisnikërojmë shoqërinë tonë.
“Ftojmë publikun që të vijë, të ndjekë poetët, të duartrokasë sepse ata vërtetë bëjnë një rrugë të gjatë, imagjinoni një poet të vijë nga Koreja e Jugut, të respektojë Naim Frashërin, qytetin tonë, gjuhën tonë, ja vlen të vijmë dhe t’i përshëndesim këta poetë të shumtë”, tha Emërllahu.
Programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kudër të tij, do të mbahen disa orë letrare, do të promovohen libra të shtëpisë botuese “Ditët e Naimit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike dhe të tjera.