Plani Detal për Kodrën e Diellit peng i investimit të huaj nga Dubai që nuk po konkretizohet
Plani Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit vazhdon të zvarritet dhe të mos miratohet. Ndërkaq tani autoritet kanë gjetur arsyetim të ri, sipas kryetarit të Komunës së Tetovës thotë se janë në bisedime me investitor potencial të ri ku do të merren parasysh edhe kërkesat e tyre, por tani për tani nuk ka asgjë konkrete, shkruan Portalb.mk.
Premtimet për miratimin e PDU-së për Kodrën e Diellit vazhdimisht janë shkelur edhe atë në vitin 2022, 2023, 2024 dhe 2025.
Ndonëse një version i Planit Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit ishte gati që para më shumë se një viti, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve konstatoi vërejtje të cilat duheshin përmirësuar nga Komuna e Tetovës. Por, deri më tani ky plan nuk është miratuar.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e konfirmoi se drafti i planit është kthyer nga ministria me vërejtje, por tani thotë se janë në bisedime me investitorë të huaj për këtë qendër turistike dhe kjo periudhe shfrytëzohet për të parë interesimin, projektin dhe kërkesat që do të kenë, në mënyrë që të inkorporohen në planin urbanistik.
Investitori të cilit i referohet Kasami nuk është kompania italiane ‘TechnoAlpin‘ të cilët para mbi tre viteve e kanë prezantuar planin dhe ofertën e tyre për këtë qendër turistike. Negociatat as nuk janë përmbyllur dhe as nuk janë ndërprerë.
Kasami për Portalb.mk zbuloi se kompania e interesuar është EMAAR nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Investitori nga Tiroli Lindor që është zonë në veriun e Italisë, nuk është që janë ndërprerë bisedimet. Ndërkohë ka shprehur interes një investitor më serioz që është një nga investitorët më të rëndësishëm ndër, bëhet fjalë për pronarin e EMAAR grup, Muhamed Alabbar, që është nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe i cili ka ardhur ka vizituar Kodrën e Diellit dhe i cili para vitit të ri diku brenda dhjetorit ka qenë në vizitën e dytë në RMV. Tani në Davos kryeministri ka pasur edhe takimin e radhës dhe ne presim projekt investues konkret nga investitori në fjalë dhe interesimin e tij për Kodrën e Diellit”, tha Kasami.
Portalb.mk kërkoi detaje nga Qeveria e RMV-së lidhur me këto bisedime, megjithatë nga aty nuk janë konkretë, thonë se Qeveria po punon në disa projekte zhvillimore dhe po zhvillohen bisedime intensive me disa investitorë seriozë, me qëllim që të sigurohet një investim së bashku me Qeverinë për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Kodrës së Diellit.
“Vizioni është që Kodra e Diellit të shndërrohet në një qendër turistike moderne dhe konkurruese, e cila do të funksionojë 365 ditë në vit, jo vetëm për disa muaj gjatë sezonit turistik dimëror, por me një ofertë turistike të zgjeruar dhe me infrastrukturë dukshëm të përmirësuar”, thanë nga Qeveria.
Kontaktuam edhe kompaninë EMAAR, megjithatë deri në publikimin e tekstit nuk morëm përgjigje.
Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski gjatë një vizite në Kodrën e Diellit në muajin janar tha se janë afër marrëveshjes me investitorë të huaj për Kodrën e Diellit, duke mos përmendur se për kë bëhet fjalë.
Nga ana tjetër, me vite nuk ka asgjë konkrete as nga investimi italian i prezantuar në 2022 nga TechnoAlpin. Sipas planit, investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Por negociatat nuk kanë marrë epilog dhe nuk ka marrëveshje.
Pavarësisht se autoritetet si nga qeveria e kaluar po ashtu edhe kjo aktuale, me vite paralajmërojnë investime të huaja milionëshe, ende nuk ka asnjë marrëveshje dhe asgjë konkrete në terren.
Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.
Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.