Pjesëtarë të grupit kriminal të Gërçecit u dënuan me mbi 50 vite burg
Me gjithsej 50 vite e gjysmë burg gjykata i ka dënuar gjashtë anëtarë të grupit të Gërçecit, të cilët akuzoheshin për trafikim kokaine dhe dy vrasje të porositura, transmeton Portalb.mk.
Katër prej tyre morën dënime deri në gjashtë vjet burg për trafik droge, ndërsa dy të tjerë u dënuan me 14 e gjysmë dhe 15 vjet burg për pjesëmarrje në grup kriminal dhe vrasje.
Grupi vepronte nga viti 2019 deri në 2021, duke trafikuar kokainë nga Shqipëria dhe Belgjika në Maqedoni, ndërsa komunikimi i tyre është dokumentuar përmes aplikacionit “Sky”.
Disa të dyshuar mbeten ende të paarritshëm për autoritetet, ndaj të cilëve është shpallur fletëarrest ndërkombëtar.
Ndryshe, Policia e Maqedonisë së Veriut në fund të vitit 2024 ka arritur të arrestojë 33 vjeçarin nga Shkupi pasi për të kishte edhe fletarrestim, si i dënuar në lëndën “Mali”, ku janë të përfshirë dy grupe kriminale nga Shkupi. Lënda “Mali” ishte formuar në mars të vitit 2021 ku akuzohen 28 persona, kryesisht nga Gërçeci dhe Gazi Baba. Të akuzuarit në këtë lëndë janë dënuar me burg prej 3 deri 8 vjet.
Anëtarët e dy rrjeteve të organizuara kriminale shisnin narkotikë përmes shitësve në Shkup, Gostivar, Tetovë, Strumicë dhe qytete të tjera. Në mars të vitit 2021 në një aksion të Policisë dhe Prokurorisë në Gërçec dhe Gazi Babë u arrestuan 21 persona, ndërsa në kërkim ishin edhe të tjerë për prodhim dhe tregtim ilegal të lëndëve narkotike.