Pikë e përbashkët kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, u nënshkrua protokolli

Në hapësirat e vendkalimit kufitar në Qafë Thanë u nënshkrua protokolli i përbashkët për realizimin e kontrolleve të përbashkëta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, transmeton Portalb.mk.

“U nënshkrua protokolli i fundit për realizimin e kontrolleve të përbashkëta me Shqipërinë”, njoftoji drejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Stefan Bogoev.

Ai e ka nënshkruar protokollin së bashku me homologun nga Shqipërisë, Genti Gazheli.

“Me nënshkrimin e Protokollit përfunduan edhe përgatitjet e fundit për menaxhimin e one-stop-shop në këtë vendkalim kufitar, me qëllim menaxhimin më efikas dhe të lehtë të formaliteteve kufitare, më pak kohë për pritje në kufi, gjegjësisht shërbime më cilësore për operatorët ekonomik dhe udhëtarët”, vlerësojnë nga Doganat.

Bogoev gjithashtu vlerësoi që përmes këtij bashkëpunimit do të zvogëlohen aktivitetet ilegale në kufi, ndërkohë do të rritet siguria e qytetarëve.

Ndryshe, premtohet prej vitit 2019. Në fillim të janarit të vitit 2019 u realizua një takim mes ish ministrit të Brendshëm të RMV-së, Oliver Spasovski, dhe homologut të tij shqiptar, Sandër Lleshaj. Në fokus të këtij takimi ishin diskutimet për bashkëpunimin ndërkufitar dhe policor.