Premtohet nga vitit 2019, Doganat e RMV-së dhe Shqipërisë: Është në fazë përfundimtare pika e përbashkët kufitare “Qafë Thanë”

Në fazë përfundimtare janë aktivitete për vendosjen e konceptit one-stop-shop në pikën kufitare Qafë Thanë mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Vendosja e konceptit për kontrolle kufitare në një ndalesë e rrit bashkëpunimin mes shteteve dhe e përshpejton integrimin rajonal. Këto janë porositë kryesore të takimit të sotëm të drejtorit të Drejtorisë Doganore të RMV-së, Stefan Bogoev dhe homologut të tij nga Shqipëria, Genti Gazheli, gjatë vizitës së sotme në pikën kufitare Qafë Thanë. Projekti premtohet prej vitit 2019-të dhe deri tani nuk është realizuar, njofton Portalb.mk.

“Me Drejtorinë Doganore të Shqipërisë kemi bashkëpunim të rëndësishëm dhe më vjen mirë se sot jemi në fazë përfundimtare të vendosjes së konceptit për kontrolle të përbashkëta one-stop-shop, në pikën kufitare Qafë Thanë. Me këtë do të mundësohet zbatimi i kontrolleve kufitare me një ndalesë që do ta lehtësojë tregtinë, do të përshpejtojë transportin e mallrave dhe do të mundësojë qarkullim më të shpejtë të udhëtarëve”, theksoi drejtori Bogoev.

Në pikën kufitare për vendet e “Ballkanit të Hapur” është vendosur shirit nëpërmjet të cilës me prioritet kalojnë automjetet ngarkuese për mallra, në kuadër të korridoreve të gjelbër, por edhe për kompanitë me status të operatorit të autorizuar ekonomik.

Për momentin, siç theksoi Bogoev, janë duke u përgatitur projektet për rritjen e numrit të linjave të komunikacionit dhe automatizimit të kësaj pike kufitare, me mbështetje të Qeverisë dhe mjete të financuara nga Banka Botërore dhe nga instrumenti i BE-së për ndihmë para anëtarësimit – IPA.

“Të gjithë këto aktivitete janë në drejtim të mbarimit sa më të shpejtë të procedurave doganore, zvogëlimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e konkurrencës në kompanitë e brendshme të tregut ndërkombëtar, por edhe për integrim më të shpejt të shtetit tonë drejt BE-së”, deklaroi Bogoev.

Drejtori i Drejtorisë Doganore të Shqipërisë, Genti Gazheli theksoi se vendosja e one-stop-shop në pikën kufitare Qafë Thanë do ta përmirësojë cilësinë e jetesës dhe biznesit, jo vetëm për banorët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut, por edhe për vendet e rajonit.

“Këtu jemi sot të gjejmë zgjidhje që të zbatohet ky projekt shumë i rëndësishëm, i cili do të kontribuojë që të zhvillohet biznesi në dy shtete”, tha Gazheli.

Premtohet prej vitit 2019

Në fillim të janarit të vitit 2019 u realizua një takim mes ish ministrit të Brendshëm të RMV-së, Oliver Spasovski, dhe homologut të tij shqiptar, Sandër Lleshaj. Në fokus të këtij takimi ishin diskutimet për bashkëpunimin ndërkufitar dhe policor.

Foto nga takimi i ish ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski dhe homologut të tij shqiptar Sandër Leshaj, Pogradec -15 janar 2019

I njejti premtim nga dy ministrat u përsërit edhe gjatë takimit të tyre në Pustec më 30 gusht 2019. Gjatë këtij takimi, ish ministri i Brendshëm i RMV-së, Oliver Spasovski u shpreh:

“Kishim mundësi që të bisedojmë edhe një herë për bashkëpunimin tonë të përbashkët në të ardhmen. Është e nevojshme që të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë qarkullimin e lirë të njerëzve në mes dy shteteve. Kjo ishte tema e bisedimeve. Të fillojmë të nënshkruajmë marrëveshje për menaxhim të përbashkët të kufirit në Qafë Thanë.” tha Spasovski.

Më 18 shtator 2019 në Tiranë u zhvillua takim një takim mes ministrit të Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Anila Denaj. Në këtë takim ku u diskutua për rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve fqinje theksi përsëri u vendos në krijimin e një pike të përbashkët kufitare.

Foto nga takimi i ministrit Kreshnik Bekteshi dhe ministres Anila Denaj, Tiranë – 18 shtator 2019 (Burimi: ata.gov.al)

Në fund të dhjetorit të 2019, në takimin e tretë për avancimin e bashkëpunimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor, gjatë diskutimit për përforcimin e marrëdhënieve bilaterale Maqedoni e Veriut-Shqipëri u bë e ditur se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshje për pikë të përbashkët doganore në Qafë Thanë.

“Me nxitje të nismës së bashkëpunimit në rajon, negociatat midis Republikës së Serbisë dhe Maqedonisë Veriore kanë përfunduar dhe së shpejti do të fillojë ndërtimi i vendkalimit të ri kufitar Llojan-Miratovc, deri në mbledhjen tjetër të kësaj nisme në Beograd, drejtorit Doganore të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të nënshkruajnë marrëveshjen “One Stop Shop” për vendkalimin kufitar Qafë Thanë, siç kemi me Serbinë në vendkalimin kufitar Tabanovc.
Qëllimi kryesor i këtyre “One Stop Shop”, gjegjësisht kontrollet kufitare me një ndalesë të bëhen së shpejti – On Stop Shop, d.m.th. kalime pa ndalesë, dhe si kontribut për realizimin e realizimit të kësaj procedure do të jetë edhe vendosja e sistemit pa letra që do të thjeshtojë procedurat doganore”thuhet mes tjerash në njoftimin e Qeverisë së RMV-së.

Foto nga takimi i tretë për avancimin e bashkëpunimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor në Tiranë – Dhjetor 2019.

Edhe përkundër gjithë këtyre premtimeve se dy shtetet fqinje do të zbatojnë sistemin në fjalë në pikën kufitare Qafë Thanë, me qëllim lehtësimin e qarkullimit e të gjithë qytetarëve por edhe zhvillimin e ekonomisë në dy vendet, funksionimi në kët venkalim kufitar vazhdon pa asnjë ndryshim.

Për të mësuar se cilat janë pengesat që kanë bllokuar realizimin e këtij premtimi dhe deri ku është puna për realizimin e planit “One Stop Shop” në Qafë Thanë, redaksia jonë u drejtua te Drejtoria e Doganave.

“Është në progres e sipër harmonizimi përfundimtar i tekstit të Marrëveshjes midis dy qeverive për “Vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare midis Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Republikës së Shqipërisë dhe zbatimi i aktiviteteve të përbashkëta të kontrollit të kufirit”, i cili parashikon zbatimin e konceptit One-Stop-Shop të vendkalimet kufitare  Kafasan – Qafë Thanë.”, thanë për Portalb.mk nga Drejtoria e Doganave të RMV-së.

Lexo analizën e Portalbit për pika të përbashkëta kufitare mes RMV-së dhe Shqipërisë: Premtime vetëm në letër për pikë të përbashkët doganore Maqedoni e Veriut – Shqipëri