Drogë, armë dhe 99 gra nga Kolumbia, Rusia, Ukraina u gjetën në objektet hotelierike në Ohër dhe Tetovë

Policia dje ka bastisur tre objekte hotelierike, dy prej tyre në zonën e SPB Tetovës dhe një në zonën e Ohrit, ku janë gjetur 99 gra, drogë dhe një armë, transmeton Portalb.mk.

Gjatë veprimeve të kryera policore dhe hetimore në tre objektet hotelierike janë gjetur gjithsej 99 gra me origjinë nga Ukraina, Rusia, Bjellorusia, Shqipëria, Kosova, Kolumbia, Serbia, Argjentina, Bullgaria, Kazakistani dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, të cilat kanë qëndruar në kundërshtim me qëllimin, si dhe është gjetur një qese me materie pluhuri dhe një armë “gamo” e kalibrit 4.5 mm.

Në objektin hotelierik, në pronësi të I. I (26), janë gjetur 50 vajza nga Ukraina, Rusia, Bjellorusia, Shqipëria dhe Kosova, si dhe një qese me drogë, si dhe janë identifikuar 80 të tjerë të pranishëm. Në objektin hotelierik, në pronësi të A. Xh. (26), u gjetën 36 vajza nga Ukraina, Rusia, Bjellorusia, Shqipëria, Kolumbia, Serbia, Argjentina, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, si edhe një armë, si dhe u identifikuan 95 pjesëmarrës në objekt. Gjatë kontrollit të kryer në objektin hotelierik në Ohër, në pronësi të H. A. (34), u gjetën 13 vajza nga Ukraina, Rusia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa janë gjetur dhe identifikuar edhe 47 të tjerë.

Lidhur me femrat e gjetura, të cilat kanë qëndruar në kundërshtim me qëllimin, do të fillojë procedurë kundërvajtëse në gjykatën kompetente, ndërsa kundër pronarëve do të paraqiten parashtresat përkatëse.