Pianistët Shkelzen Baftiari dhe Anastasija Grgovska shfaqën koncertin “Damar i Lirisë”
Në sallën e Filharmonisë në Shkup, mbrëmë u shfaq koncerti “Damar i Lirisë” me dy pianistët Anastasia Grgovska dhe Shkelzen Baftijari. Në programin u përfshinë veprat “Uverturë Solemne” nga Dmitri Shostakovich, Koncertin për Dy Piano dhe Orkestër në Re minor nga Francis Poulain dhe “Variacionet Enigma” nga Edward Elgar. Ky koncert u realizua nën dirigjimin e maestro Conrad van Alphen nga Holanda, shkruan Portalb.mk.
Panisti Shkelzen Baftiari për Portalb.mk tha se ndihet i lumtur që ka performuar me kolegen Anastasija Grgovska sepse veprat e tilla janë të rralla.
“Unë si solist bashkë me kolegen Anastasija Grgovska, performuam koncert për 2 piano dhe orkestër të kompozitorit francez F. Poulenc. Këtë koncert e bëri të veçantë pikërisht vepra që unë bashk me Anastasija Grgovska e performuam sepse është koncert për 2 piano dhe orkestër, dhe vepra të tilla në repertorin e muzikës klasike janë të rralla”, tha Baftiari.

Ai mendon se shqiptarët duhet të jenë më të përfshirë në kësi lloj koncertesh në sezonet e ardhshme.
“Po është e vërtetë se në vitet e kaluara ka pak solista dhe dirigjent shqiptarë të ftuar nga Filharmonia e Maqedonisë, unë personalisht luaj si solist me këtë orkestër pas plot 12 viteve, kurse në ndërkohë kam luajtur disa herë me Filharmoninë e Kosovës, orkestrën simfonike të RTSH, London City Philharmonic. Mendoj se shqiptarët duhet të jenë më të përfshirë në kësi lloj koncertesh në sezonet e ardhshme, por besoj se tani kjo do të ndodhë më shpesh sepse drejtori i filharmonisë Mustafa Imeri është shqiptarë”, tha Baftiari.
