Petrovska në pritje ushtarako-diplomatike në Ambasadën e RMV-së në Uashington

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska gjatë një vizite pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ambasadën në Uashington tha se sot vendi ynë duhet të sigurojë rrugën e tij evropiane dhe falënderoi për mbështetjen e partnerit tonë strategjik – SHBA-së, në zhvillimin e demokracisë dhe forcimit të paqes, transmeton Portalb.mk.

Ajo foli në pritjen për nder të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ditës së Ushtrisë.

Petrovska tha se në tri dekadat e pavarësisë janë shkruar shumë faqe të historisë së RMV-së, të mbushura me sfida dhe vendime të vështira.

“Në fillim të viteve nëntëdhjetë, vendi im u përball me një sfidë të madhe, të shpallte pavarësinë në paqe, duke shmangur luftën dhe vuajtjet. Sot, duke vënë në pah konceptin evropian të unitetit në dallime, ne po punojmë për ndryshimet kushtetuese për të siguruar rrugën tonë drejt Bashkimit Europian”, tha ministrja.

Në pritje morën pjesë Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, ish-ambasadori i SHBA-së në vend, Jess Bailey, ish atashetë të mbrojtjes dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shkup dhe Zyrës për Bashkëpunim në mbrojtje me SHBA-në, si dhe përfaqësues të komunitetit akademik.