Misteri nën ujë – Avioni britanik në Liqenin e Pogradecit, thesar i pazbuluar për turizmin
Një avion anglez i tipit “street fighter”, i rrëzuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Liqenin e Pogradecit, po shihet si një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e turizmit nënujor. Sipas zhytësve profesionistë, mbetjet e tij ndodhen ende në fund të liqenit dhe mund të shndërrohen në një pikë vizituese pas ndërhyrjeve të nevojshme, raporton Euronews.
“Avioni dihet, kam vajtur para 15 vjetësh me babain e kam parë. Pa bombla, ndërsa tani kemi shkuar e kemi filmuar, me sy të lirë duket motori, pjesa e mitralozit që gjuhet, një pjesë e krahut dhe pjesë të tjera. Nuk është pastruar asnjëherë, se nëse pastrohet do dalë më i bukur. Ka pasur tentativa për t’i marrë pjesë të motorit, por unë nuk i lejova. Është shumë interesante të bëhet një qendër zhytje, ka kërkesa por deri tani nuk është e mundur”, thotë zhytësi Gentian Olldashi.
Drejtoria e Turizmit thekson se Liqeni i Pogradecit fsheh shumë objekte nën ujë që nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore. Avioni anglez pranë molit të qytetit konsiderohet një nga atraksionet më të rëndësishme, me potencial për ta kthyer zonën në destinacion të turizmit nënujor.
“Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore ka mjaft objekte që gjenden nën ujë, ndërsa në Luftën e Dytë Botërore është një avion anglez ‘street fighter’ që gjendet në afërsi të molit të qytetit. Të gjitha këto përbëjnë atraksione sa i përket turizmit nënujor dhe mund të jenë një nga destinacionet kryesore. Bota ujore e Pogradecit është zbuluar shumë pak dhe pjesa më e madhe e saj gjendet nën ujë”, thotë Ledjan Zeqollari, Drejtor i Turizmit.
Sipas peshkatarëve vendas, gjatë Luftës së Dytë Botërore avionë anglezë frekuentonin liqenin për furnizim me koran, një histori që ka kaluar si legjendë lokale por që vazhdon të rrëfehet brez pas brezi në Pogradec.
“Është e vërtetë, vinte avioni që nga Anglia dhe qëndronte në Ohër, aty merrte koran, sepse këtë specie dy liqene e kanë në botë, këtu dhe në Rusi. Korani shkonte edhe në hotele, në Korçë, nuk e linte Korça, merrte Elbasani, Tirana, Durrësi vinin kastile makinat këtu për të marrë koran”, thotë peshkatari Petrit Merko.
Zhytësit profesionistë theksojnë se zhytja në liqen është e sigurt dhe më e lehtë se në det, për shkak të presionit më të ulët të ujit të ëmbël. Sipas tyre, çdo zhytje ofron pamje të reja dhe përvoja të ndryshme për eksploruesit.
“Gjërat që mund të shikosh në liqen janë të pafundme. Sa herë zhytesh shikon diçka të re, asnjëherë të njëjtën gjë. Nëse je trajnuar dhe di rregullat e zhytjes, nuk është e vështirë, por gjithçka është e lidhur me pasionin. Njerëzit më parë thonin që nuk mund të zhytesh dot shumë se të del gjak nga veshët, ka shumë trysni uji, nuk është e vërtetë. Unë e kam filluar zhytjen në det dhe uji i detit ka më shumë trysni se liqeni”, thotë zhytësi Ermal Kuqo.
Ekspertët vijojnë kërkimet në liqen, ku deri më tani janë zbuluar vetëm disa vendbanime palafitesh, më i vjetri rreth 8100 vjeçar në anën shqiptare. Pritet që kërkimet e reja të nxjerrin në dritë edhe struktura të tjera historike nën ujë.