Përfundoi evakuimi i të gjithë qytetarëve të regjistruar të RMV-së nga vendet e prekura në Lindjen e Mesme
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se, që nga fluturimi i djeshëm, evakuimi i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë nga vendet e Lindjes së Mesme të cilët ishin regjistruar dhe kishin shprehur gatishmërinë e tyre për evakuim është përfunduar plotësisht, transmeton Portalb.mk.
Me fluturimin e fundit, të pestë që zbarkoi dje në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, u evakuuan gjithsej 147 pasagjerë, nga të cilët 119 ishin shtetas të Maqedonisë dhe 28 ishin shtetas të huaj.
“Në këtë mënyrë, shteti tregoi gatishmërinë e tij për të reaguar në kohë në situata krize, për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve, por edhe për të treguar solidaritet me qytetarët nga vendet mike në rajon dhe më gjerë. Këto janë fluturime të organizuara çarter, me të gjitha shpenzimet për zbatimin e tyre që i mbulon shteti”, thonë nga MPJTJ.
Me realizimin e këtyre fluturimeve, numri i përgjithshëm i shtetasve të Maqedonisë të evakuuar arriti në 605.
Njëkohësisht, MPJTJ thotë se numri i telefonit SOS në detyrë, si dhe kontaktet e misioneve diplomatike dhe konsullore, mbeten në dispozicion të qytetarëve maqedonas.
Situata e tensionuar nga përplasjet politike dhe kërcënimet në planin ndërkombëtar, ka çuar në klimë pasigurie, e shoqëruar me rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, si dhe ka shtyrë shumë shtete të rishikojnë udhëzimet e udhëtimit dhe të apelojnë për largimin e qytetarëve të tyre, përfshirë edhe thirrjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.