SHBA-ja thotë se shkatërroi pesë cisterna iraniane, teksa Teherani kundërpërgjigjet në Gjirin Persik
Shtetet e Bashkuara dhe Irani e kanë përshkallëzuar ndjeshëm përplasjen mes tyre, pasi Uashingtoni shkatërroi pesë cisterna iraniane të naftës, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme me raketa ndaj forcave amerikane në Jordani dhe me pretendime për sulme ndaj anijeve luftarake amerikane dhe anijeve të tjera, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha më 9 shtator se forcat e saj shkatërruan anijet Kaviz, Charminar, Horizon 1 dhe Riesco në Gjirin e Omanit, si dhe anijen Derya pranë ishullit Kharg të Iranit.
CENTCOM tha se cisternat ishin pjesë e një rrjeti iranian të naftës, me vlerë miliarda dollarë, i cili dyshohet se financon Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe aleatët e saj në rajon. Ekuipazheve iu dha urdhër të braktisnin anijet para se ato të goditeshin, dhe asnjë pjesëtar i personelit amerikan nuk u lëndua.
Sulmet pasuan dy përpjekje të dështuara iraniane për të goditur me raketa balistike një anije luftarake të Marinës amerikane, sipas CENTCOM-it. Ato ndodhën vetëm disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se kishin shkatërruar edhe tri cisterna të tjera iraniane të naftës, pas përpjekjeve për të sulmuar një aeroplanmbajtëse dhe një shkatërruese amerikane.
Irani u kundërpërgjigj gjatë natës duke lëshuar 20 raketa balistike drejt Jordanisë, sipas autoriteteve jordaneze. Mbrojtja ajrore e Jordanisë pengoi 18 prej tyre, ndërsa dy ranë në zona të pabanuara. Nuk u raportua për viktima.
IRGC-ja pretendoi gjithashtu se kishte sulmuar dy anije luftarake amerikane dhe tetë cisterna të tjera, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.