Sulme të reja Amerikë – Iran

Forcat amerikane kanë njoftuar se kanë shkatërruar pesë cisterna iraniane të naftës, si kundërpërgjigje pas sulmeve të mëparshme iraniane. Irani reagoi me sulme raketore kundër bazave ushtarake amerikane në Jordani, raporton Dojçe Vele (DW).

Ushtria amerikane deklaroi se ka sulmuar dhe “shkatërruar” pesë cisterna iraniane të naftës së papërpunuar. Ekuipazhet ishin paralajmëruar më parë të largoheshin nga anijet, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) në platformën X. Sipas saj, cisternat nuk mund të përdoren më.

Një video e publikuar nga ushtria amerikane duket se tregon sulme me raketa në zonën e dhomave të motorëve të cisternave. Centcom bëri të ditur se ky sulm ishte kundërpërgjigje pasi Gardat Revolucionare Iraniane kishin sulmuar dy herë brenda dy ditëve të fundit një anije luftarake të marinës amerikane me raketa balistike. Sipas njoftimit, anija luftarake arriti t’u shmangej sulmeve dhe nuk pati të lënduar amerikanë.

Centcom i justifikoi sulmet me argumentin se cisternat ishin “pjesë e një rrjeti të fshehtë me vlerë miliarda dollarë”, përmes të cilit financoheshin Gardat Revolucionare Iraniane. Gjatë sulmeve u shkatërruan në Gjirin e Omanit cisternat iraniane të naftës së papërpunuar “M/T Kaviz”, “M/T Charminar”, “M/T Horizon 1” dhe “M/T Riesco”. Gjithashtu, pranë ishullit Kharg u sulmua edhe anija “M/T Derya”, thuhet më tej në njoftim.

Më herët, mediat iraniane raportuan për disa shpërthime pranë ishullit Kharg në Gjirin Persik, si edhe afër qytetit portual Jask, në ngushticën e Hormuzit. Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, e afërt me qeverinë, shpërthime janë dëgjuar në pjesë të ndryshme të ishullit Kharg, përfshirë edhe zonën portuale. Ishulli Kharg është terminali më i rëndësishëm për eksportin e naftës iraniane në Gjirin Persik.

Irani sulmon bazat ushtarake amerikane në Jordani

Sipas mediave lokale, Irani nisi menjëherë gjatë natës sulme hakmarrëse, mes tyre një valë sulmesh me raketa kundër bazave ushtarake amerikane në Jordani. Nga ana e saj, Jordania i konfirmoi sulmet. Sipas forcave të armatosura jordaneze, mbrojtja ajrore e vendit arriti të neutralizojë 18 nga 20 raketat balistike të lëshuara nga Irani. Dy predha ranë në zona të pabanuara. Nuk pati të lënduar.

Irani paralajmëroi gjithashtu sulme hakmarrëse ndaj cisternave të naftës pranë Kuvajtit dhe Bahreinit. “Ne paralajmërojmë të gjitha cisternat e naftës në portet e Kuvajtit dhe Bahreinit, të cilët strehojnë këta terroristë dhe janë bashkëpërgjegjës për veprimet e tyre të liga”, deklaruan Gardat Revolucionare Islamike në një njoftim të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve IRNA.

Burimi: